INTV NEWS SHOWBIZ MAGAZINA MUSIC MOVIES FASHION MED+ SPORTS VIDEOS
Një shkodran “skuq” Tiranën, kryeqyteti bëhet i KUQ, Partizani fiton derbin!

Një shkodran “skuq” Tiranën, kryeqyteti bëhet i KUQ, Partizani fiton derbin!

Publikuar më: 19:56 30-11-2018

Partizani ka mundur sërish Tiranën në derbi me rezultatin 2-1, në “Selman Stërmasi” në javën e 15 të kampionatit. Sa herë këto dy ekipe përplasen mes tyre, ka spektakël në fushë e tribuna, rivaliteti është në nivele maksimale, dëshira për të fituar është njësoj si të ishte ndeshja e parë, ndonëse kjo e sotmja ka lënë pas 150 sfida të tjera. Partizani priti sot në “shtëpinë” e bardhebluve, rivalin e Tiranës, të drejtuar nga Ardian Mema.
Sfida nisi mjaft mirë për Tiranën, që u mundua t’i imponojë ritmin e saj derbit dhe arriti të krijojë disa aksione sulmuese, por pa ia dalë të kërcënojë rrezikshëm kuadratin e portës së Alban Hoxhës.

Nga ana tjetër, Partizani zbriti shpesh rrezikshëm dhe në një moment goditi edhe traversën e portës së Abibit, me anë të sulmuesit me numrin 10, Jasir Asani, ndërsa pati edhe një pretendim për 11-metërsh me Trashin, por që arbitri e cilësoi si stimulim dhe ndëshkoi futbollistin e kuq.

Me barazim pa gola përfundoi pjesa e parë, ndërsa 45-minutëshi i dytë startoi menjëherë me Tiranën si protagoniste. Të besuarit e Memës zhvendosën lojën në gjysmëfushën e kuqe dhe në minutën e 50’, gjetën golin e avantazhit.


Skënder Gega mori masat për të shkuar drejt golit dhe rriti fuqinë sulmuese, duke larguar nga fusha Ibrahimin, për t’i bërë vend sulmuesit shkodran, Rubin Hebaj, që u pozicionua menjëherë në majë të sulmit.
Ishte pikërisht ky i fundit, që riktheu baraspeshën në minutën e 67’ të takimit, teksa pasi mori një krosim nga Mensah, gjuajti dy herë radhazi me kokë, ndërsa portieri Abibi priti goditjen e parë, por nuk arriti të reagojë në të dytën dhe pa që topi të ndalej në rrjetë.

Në minutën e 85-të ishte Hila që u shërbye në hyrje të zonës nga Çinari dhe gjuajti menjëherë, por topi u përplas në traversën e portës së Abibit, ndërsa menjëherë më pas Tirana zbriti në një kundërsulm të rrezikshëm, ku këtë herë ishte Alban Hoxha që u mohoi golin bardhebluve.

Menjëherë pas pritjes, Hoxha nis një aksion të shpejtë për Partizanin dhe topi përfundon në të majtë të sulmit, ku Eraldo Çinari kroson bukur në zonë dhe aty është shkodrani tjetër, Rubin Hebaj që përfiton nga një gafë e Erjon Hoxhallarit dhe dërgon topin për herë të dytë.

 

Article Logic
Execution time: 0.0036530494689941