Numri i ndërmarrjeve me kapital të huaj në ekonominë shqiptare u rrit gajtw 2017. Sipas të dhënave nga Instituti i Statistikave, numri i ndërmarrjeve me pjesëmarrjen e kapitalit të huaj arriti në rreth 6300, në rritje me afro 12% krahasuar me vitin 2016.
Rreth 76% e ndërmarrjeve të huaja kanë përmasa të vogla, me më pak se katër individë të punësuar. Vetëm 329 ndërmarrje me kapital të huaj deklarojnë më shumë se 50 të punësuar.
Sa i takon origjinës së kapitalit, struktura e ndërmarrjeve të huaja në ekonominë shqiptare dominohet nga sipërmarrja italiane. Për vitin 2017, ndërmarrjet me pjesëmarrjen e aksionerëve italianë, ishin 2887 ose 46% e totalit.
Italia ka një diferencë të thellë në raport me sipërmarrjet e vendeve të tjera, ku e dyta vjen Greqia me 8%, e më tej Kosova dhe Turqia me afërsisht 7%. Më gjerësisht, bizneset e huaja në Shqipëri në shumicë i takojnë vendeve të Bashkimit Europian, me 67% të numrit total të tyre.
Megjithatë, krahasuar me vitin 2016, vërehet një tendencë në rritje e numrit të bizneseve kosovare dhe maqedonase. Aktiviteti i bizneseve të huaja sipas sektorëve është i ngjashëm me strukturën e përgjithshme të sipërmarrjes në Shqipëri dhe shumica janë të angazhuara në sektorët e shërbimeve.
Afro 74% e bizneseve të huaja punojnë në shërbime, ndërsa ato ndërmarrje që punojnë në prodhim, kryesisht janë të angazhuara në industri dhe më pak në ndërtim apo bujqësi.








13 Dec 2025 





