INTV NEWS SHOWBIZ MAGAZINA MUSIC MOVIES FASHION MED+ SPORTS VIDEOS
‘Mos guxoni me Teatrin’, artistët ngujohen në godinë

‘Mos guxoni me Teatrin’, artistët ngujohen në godinë

Publikuar më: 10:07 19-07-2019

Prej ditës së djeshme Teatri Kombëtar ka nisur të zbrazet në funksion të projektit të ri që parashikon shembjen e godinës dhe ndërtimin e një të reje. 

Lëvizjet u pikasën nga artistët, që prej muajsh godina e Teatrit është bërë banesa e tyre e dytë. Dje gjithçka ishte paketuar dhe gati për t’u transportuar në një vend tjetër.
Por rezistenca e artistëve i stopoi sërish gjërat dhe plani u ndal përkohësisht. Artistët vijojnë të qëndrojnë në të njëjtin vend.

Edhe pas mesnatës së djeshme, artistët kanë qenë te sheshi i Teatrit, pasi ishin njoftuar nga administrata se mund të kishte një zhvendosje masive të sendeve prej aty.
“Burime nga administrata e Teatrit na njoftojnë se natën do të bëhet zbrazja e plotë e Teatrit Kombëtar. Kërkohet mobilizim i plotë qytetar. Të gjithë që munden, janë të ftuar të na bashkohen që të qëndrojmë sot natën për t’i bërë qeveritarët që veprojnë si gjithmonë hajdutçe natën që të stepen në qëllimin e tyre të mbrapshtë. #MosGuxoMeTeatrin ”, ishte thirrja e shpërndarë nga artistët.

Thirrjet e artistëve për mbështetje morën përgjigje nga qytetarët. Një nënë me fëmijë kishte përgatitur ushqim dhe çaj të ngrohtë, për qëndrestarët që e kanë kaluar natën në ambientet e jashtme të godinës së TK. “Për t'u solidarizuar me qëndrestarët e Teatrit, qytetarë të ndryshëm po sjellin ushqime dhe pije. Esmeralda, një nënë e një fëmije të vogël, na solli sanduiçë dhe çaj të ngrohtë nga shtëpia. Teatri do mbrohet se qytetaria është gjallë!”, shkruan Aleanca në Facebook.
Pritet të shihen lëvizjet në vijim. Qeveria vitin e shkuar ka miratuar edhe një ligj për shembjen e godinës ekzistuese dhe ndërtimin e një Teatri të ri Kombëtar përmes Partneritetit Publik-Privat.

 

Article Logic
Execution time: 0.0042600631713867