INTV NEWS SHOWBIZ MAGAZINA MUSIC MOVIES FASHION MED+ SPORTS VIDEOS
Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, jep dorëheqjen, zbulohet arsyeja! [VIDEO]

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, jep dorëheqjen, zbulohet arsyeja! [VIDEO]

Publikuar më: 16:30 19-07-2019

Ramush Haradinaj ka dhënë dorëheqjen nga posti i tij si Kryeministër i Kosovës. Lajmin e ka bërë të ditur vetë Haradinaj në mbledhjen e Qeverisë, siç bëjnë me dije mediet kosovare.

“Dorëheqja është e parevokueshme”, ka thënë Haradinaj në fjalën e tij dhe u shpreh se e ka marrë këtë vendim pasi i ka ardhur një ftesë nga Gjykata Speciale e Hagës.

“Jam ftuar që të intervistohem si i dyshuar nga Dhomat e Posaçme të Gjykatës Speciale. Kam velerësuar se atje nuk mund të paraqitem si kryeministër, por si një qytetar i Kosovës – do të paraqitëm javën e ardhshme. Nuk është një vendim i lehtë, por edhe ndaj të gjithëve – ky është realiteti unë nuk e kam zgjedh këtë realitet”, u shpreh Ramush Haradinaj.

Më poshtë mund ta lexoni fjalimin e plotë të Haradinajt:

Më lejoni të iu informoj se sot e kam marrë këtë vendim, pra jap dorëheqje të parevokueshme nga pozita e Kryeministrit të Republikës së Kosovës dhe dua të iu falënderoj për besim dhe përkrahje.

Arsyeja e këtij vendimi që e kam marrë është për shkak të thirrjes së marrë nga dhomat e Specializuara si i dyshuar. Qeveritë dhe pushtetet janë të ndërrueshme, jetojmë në demokraci, nderi i Kryeministrit dhe shtetit duhet të ruhet dhe unë nuk e poshtëroj asnjëherë.

Në Hagë, shkoj si Ramush Haradinaj.

I dal përballë shpifësve, ashtu si e kërkon nderi i luftëtarit shqiptar. Pastërtia ime dhe e luftës së UÇK-së e konfirmuar nga dy aktgjykime, nuk mund të njolloset nga askush dhe asnjëherë.


Shteti im është Kosova, Kosova e paprekshme, në multi etnicitet, në shumë gjuhësi, në territor e kufij. Kosovës i bëhet presion i padrejtë për çmimin e njohjes nga Serbia. Ndarja apo “Dodik-Republika” janë të papërballueshme për Kosovën edhe stabilitetin në rajon.

Si Kryeministër i Republikës së Kosovës, besoj fuqishëm se çmimi për njohje është tregu dhe për këtë taksa duhet të jetë çmimi i njohjes. Bashkësia Ndërkombëtare po bën gabim që po insiston në çmimin të papërballueshëm për Kosovën, për njohjen.

Lidershipi kosovarë po bën gabim që nuk po e fuqizon legjitimitetin e vendimin për taksën. Herët a vonë do ta kuptojnë se sa dëm i madh i bëhet vendit me këtë mos-unitet. Kosova euroatlantike është e interesuar për njohje reciproke në kufijtë ekzistues, dialogu për njohje është edhe rruga për të cilën jemi të lirë me Serbinë. Kurrë nuk është vonë të jemi bashkë. Tregu për njohje e jo ndarje apo “Republika e Dodikut”.


Më lejoni të iu siguroj se taksa mbetet, Ushtria e Kosovës shkon para, Trepça është e gatshme për investime. Pas kësaj dorëheqje, mandatin ia kthej popullit. Sovrani duhet të vendos për udhëheqjen e ardhshme, në zgjedhje të lira dhe demokratike.

I drejtohem presidentit që në afatin kushtetues të kryej konsultimet me partitë politike dhe ti shpallë zgjedhjet e parakohshme. Qeveria e vendit vazhdon t’i kryej funksionet e veta pa lejuar vakum qeveritar deri në Qeverinë e re të dala nga zgjedhjet e lira dhe demokratike.

Menjëherë do t’i drejtohem me shkresa zyrtare për dorëheqjen e parevokueshme, institucioneve të vendit dhe udhëheqësve të koalicionit qeverisës. Do t’i shërbejmë me besnikëri të gjithë jetën popullit, atdheut dhe shtetit tim të Kosovës.

 

Article Logic
Execution time: 0.0037829875946045