INTV NEWS SHOWBIZ MAGAZINA MUSIC MOVIES FASHION MED+ SPORTS VIDEOS
Kriza politike në Shqipëri/ Meta kërkon ndihmë nga OSBE, ndërmjetësoni dialogun

Kriza politike në Shqipëri/ Meta kërkon ndihmë nga OSBE, ndërmjetësoni dialogun

Publikuar më: 15:23 25-07-2019

Që prej ditës që opozita doli nga parlamenti përplasjet mes tyre dhe mazhorancës kanë qenë të shpeshta, ndërsa kohët e fundit ato janë edhe më agresive. Presidenti i vendit Ilir Meta i ka ftuar disa herë për bisedime krerët e partive opozitare si dhe kryeministrin e vendit, por deri më tani nga ky i fundit nuk ka marrë një përgjigje pozitive.

Ditën e sotme Meta priti në takim Sekretarin e Përgjithshëm të OSBE-së, Thomas Greminger.

Pasi e informoi për thellimin e krizës së gjithanshme, politike dhe institucionale që po kalon vendi, Kreu i Shtetit i kërkoi Sekretarit të Përgjithshëm të OSBE-së ndërmjetësimin sa më parë të jetë e mundur midis palëve politike në vend për zgjidhjen e kësaj krize politike. Meta gjithashtu theksoi se përpjekjet e tij të vazhdueshme për zgjidhjen e krizës politike janë minuar nga aktorë të ndryshëm dhe shprehu bindjen se rruga e vetme është dialogu politik dhe gjithëpërfshirës.

“Për rivendosjen e funksionimit normal të institucioneve demokratike dhe shmangien e përshkallëzimit të mëtejshëm të situatës mjaft kritike ku ndodhet vendi, është në interes të kredibilitetit të OSBE, të angazhohet për tejkalimin e krizës së rëndë në Shqipëri sa më parë të jetë e mundur. Ky angazhim do të shërbejë si mundësi tepër e rëndësishme për rikthimin e vendit në shinat e demokracisë dhe sundimit të ligjit, por dhe konsolidimit të lidershipit të Shqipërisë si faktor stabiliteti në rajon, gjatë marrjes së Kryesisë së Rradhës së OSBE, por edhe së ardhmes europiane të Shqipërisë, për më tepër kur presim që në 17-18 tetor Këshilli i Bashkimit Europian të vendosë për çeljen e negociatave të anëtarësimit”, – theksoi Presidenti Meta.

Meta ka theksuar se pavarësisht përpjekjeve të vazhdueshme të tij për zgjidhjen e situatës dialogu politik gjithëpërfshirës dhe i sinqertë që i jep zgjidhje të plotë e përfundimtare kësaj krize.

“Pavarësisht përpjekjeve të vazhdueshme dhe konkrete që kam ndërmarrë deri tani për parandalimin e kësaj situate, përpjekje që janë minuar nga aktorë të ndryshëm, jam edhe më i bindur tani se rruga e vetme është dialogu politik gjithëpërfshirës dhe i sinqertë që i jep zgjidhje të plotë e përfundimtare kësaj krize”, – deklaroi Presidenti Meta.

Article Logic
Execution time: 0.0040590763092041