Kosova ka marrë një rezultat të madh 4-0 ndaj Azerbajxhanit duke siguruar kreun e grupit 3 të League D. Me këtë triumf historik, Kosova ngjitet në League C të Nations League dhe tashmë janë zyrtarisht në play-offin e Ligës së Kombeve që do të zhvillohet në marsin e vitit 2020. Kosova do ta masë forcat tashmë me tre ekipet e tjera që fituan grupet respektive në Ligën D, Maqedoninë, Gjeorgjinë dhe Bjellorusinë për një biletë në Euro 2020 gjithmonë nëse asnjëra prej këtyre përfaqësueseve nuk kualifikohet në europianin e ardhshëm nëpërmjet eliminatoreve. Në Fadil Vokrri në një stadium të tejmbushur ishin përgatitur për festën dhe të gjithë kosovarët festuan pas vetëm 1 minute lojë, pasi Arbër Zeneli shënoi shumë shpejtë duke i dhënë epërsinë Kosovës.
Në fillimin e pjesës së dytë ishte sërish Arbër Zeneli që shënoi edhe golin e sigurisë për Kosovën. Nuk vonoi shumë dhe rrugën e rrjetës e gjeti edhe Amir Rrahmani ndërsa Arbër Zeneli mori topin në shtëpi me golin e tretë personal në minutën e 76-të. Një kualifikim historik ky për skuadrën e Bernard Chalandes që mbylli grupin 3 të Ligës D në kuotën e 14 pikëve me 4 fitore 2 barazime por edhe me një golevarazh fantastik prej 15 golave të shënuar dhe vetëm 2 të pësuar. Pas vërshëllimës së fundit të gjyqtarit i gjithë stadiumi Fadil Vokrri shpërtheu në festë për një fitore të madhe të Kosovës.








11 May 2026 





