Bes Kallaku ka publikuar së fundmi këngën e tij të re, “Rrëfim”, e cila është një përmbledhje e ngjarjeve të rëndësishme të jetës së tij. Kënga nis me fillimet e Besit si aktor dhe sakrificat për t’u ngritur drejt majave, ndërsa shprehet se ka pasur shumë njerëz që kanë dashur ta shohin të rrëzuar.
Ndër rreshtat e këngës, ka një strofë që u komentua gjerësisht në rrjetet sociale sikur i referohet martesës së tij me Xhensila Myrtezajn. Besi iu referohet zërave të shumtë që janë shprehur në forma të ndryshme gjatë asaj periudhe, por prapë në fund ia lë fajin asaj.
“Janë thënë ç’a s’janë thënë,
Por hiç s’i përfilli,
Mes meje e teje,
Dihet kush është thëngjilli.”, thuhet në një frazë të tekstit.
Pas këtij projekti, Bes Kallaku ka reaguar duke e cilësuar atë si projektin më të bukur të karrierës, ndërsa thekson se këtë herë nuk ka qenë as aktor dhe as personazh, por thjesht vetvetja.
Ai shprehet se në këtë këngë ka ardhur “pa maska dhe pa skenar”, duke ndarë të vërtetën e tij me publikun.
Megjithatë, Besi thekson se kapitullin me të shkuarën e ka mbyllur prej kohësh dhe se sot ndihet më i fituar se kurrë.
Në fund të mesazhit, Bes Kallaku rezervon fjalë të ndjera për partneren e tij të re, të cilën e quan “njeriun e zemrës” dhe “trëndafilin në kohë lufte”, duke theksuar se ajo i ka rikthyer paqen, buzëqeshjen dhe versionin më të mirë të vetes.









20 Feb 2026 





