INTV NEWS SHOWBIZ MAGAZINA MUSIC MOVIES FASHION MED+ SPORTS VIDEOS
IN BLOG - Festë sot? Femra akoma ha dru!

IN BLOG - Festë sot? Femra akoma ha dru!

Publikuar më: 13:42 08-03-2018
Nga ANISA BEGA
 
E dimë që gjithë vëmendja më 8- Mars është te femrat.
Urime, dhurata dhe dedikime shikon kudo. Deri këtu nuk ka asgjë të keqe, që një ditë në vit të ndihen femrat më të vlerësuara dhe të marrin komplimenta. Madje, le të mblidhen me njëra-tjetrën e të festojnë. E thënë popullorçe: rroftë rasti për të bërë diçka. Disa thonë është protestë dhe kanë fakte për këtë gjë, e disa të tjerë festë ku femrat mblidhen të kërcejnë, të hanë mirë dhe të veshin kostumet më të bukura. Nuk dua ta nis me ankesa se fundja, e bëjmë shumë mirë këtë gjë, por të shpreh diçka që edhe nëpër kafene diskutohet: vlerësimi i femrës në Shqipëri. Ndryshimi i mentalitetit vjen nga vet individi. Ndoshta nuk kam ndonjë statistikë të saktë të fundit, por sa organizata për të Drejtat e Grave shkojnë  në fshatrat, ose qytetet e të gjithë Shqipërisë për të ndihmuar femrat e pambrojtura që hanë dru dhe keqtrajtohen? Ju mendoni se shumica rrinë të martuara me dikë që e dhunon për qejf? Ku të shkojë ajo pa asnjë siguri, ku  familja e saj i thotë: rri te burri aty e ke vendin, duroje! E më pas habitemi, te ekstremiteti që shkojnë këto  femra si pasojë e vuajtjeve që nuk mund të përshkruhet. Raste konkrete kemi parë dhe dëgjuar, ku të pakta kanë qenë ato femra trime, që kanë rrezikuar duke u divorcuar nga ai person që ja ka nxirë jetën dhe s’e ka lënë të shohë një ditë të bukur në jetën e saj. Këto femra, kanë rrezikuar duke u mohuar nga familja e tyre dhe kanë  marrë suport nga kolegë, ose miq. Në fund kanë marrë  nofkën “ e përdalë”.
Ja pra, në këtë gjendje vazhdojmë të jemi, ku një femër e arrirë në karrierë, sipas opinionit kushedi se çfarë ka bërë për të marrë një post, ku një tjetër që është ende beqare gjykohet për të shkuarën e saj, ku ajo që qëndron e lidhur prej vitesh me dikë dhe ndahet do mbetet përjetë në derën e prindërve, ajo që del për jetë nate ose s’ka burrë ose mezi po pret të kalojë natën me të parin që do i dalë përpara, etj. Në këtë ditë, duhet të ngremë zërin, që këto mendime të prapambetura të zbehen dhe secili të bëjë jetën e vet, pa mllefe ose paragjykime. 
Po ju lë me një shprehje të  Christian Dior: “Pas femrave, lulet janë një ndër gjërat më të bukura që zoti i ka dhënë botës.”
Article Logic
Execution time: 0.0035169124603271