Doli e gjallë nga rrënojat, por 30-vjeçarja që kishte pasion pikturën humbi jetën pak orë më vonë. Diena Meçaj Karanxha kishte humbur fëmijën e saj 8-vjeç dhe nënën, pas tërmetit që goditi fuqishëm Durrësin dhe gjithë Shqipërinë mëngjesin e djeshëm.
Vetë gruaja, u gjet nën rrënojat e një pallati gjashtë katësh në Durrës. U dërgua në spital, por në mbrëmje përmes mediave u njoftua vdekja e saj.
Më herët policia kishte njoftuar se “pas shkollës së “Mjeshtërisë” në rrënojat e një pallati 6-katësh, pas 14 orë përpjekjesh, forcat speciale Renea, bënë të mundur nxjerrjen e 30-vjeçares e cila është dërguar menjëherë në spital për ndihmë mjekësore. Rreth dy orë më parë, Renea nxorri edhe vajzën e saj të mitur tetë vjeçare e cila kishte humbur jetën”.
Familja Karanxha ka pësuar një tragjedi të vërtetë, duke qenë se pak kohë më parë Diena kishte humbur bashkëshortin nga ataku i miokardit, vetëm 37 vjeç! Ndërsa, dje ajo, vajza e vogël dhe e ëma u shuan përgjithmonë duke shtuar tragjeditë në këtë familje!
Në vitin 2015-të ajo kishte bërë një postim në Facebook dedikuar bashkëshortit që kish ndërruar jetë.
“Mendoja gjithmonë që Zoti më kishte dhënë shumë lumturi, duke pasur një shok e një bashkëshort si Dori im, por jeta qenka një sprovë e vërtetë. Më mungon shumë bebi im”, shkruante ajo.
Dorian Karanxha, edhe ai piktor me profesion. Por, duket se pasionin e të atit dhe të vetë Dienës e kishte trashëguar vajza e tyre e vogël, e cila bënte piktura fantastike dhe vetëm pak kohë më parë në kujtim të të shoqit të ndjerë, Diena kishte hapur një ekspozitë ku kishte përfshirë edhe punimet e së bijës, shkruan revistaclass.
Ata sot janë një familje e bashkuar, por si ëngjëj lart në qiell! Një nga historitë më të trishta që na ka lënë pa fjalë të gjithëve...









6 Nov 2025 





