Tërmeti shkatërrues 6.4 ballë që goditi Shqipërinë mëngjesin e së martës ka lënë pas dhjetëra të vdekur dhe qindra të plagosur. Informacionet paraprake flasin për 31 të vdekur dhe 657 të plagosur. Në orën 12:30 Ministria e Mbrojtjes ka dhënë informacione zyrtare për numrin e viktimave të tërmetit të së martës. Albana Qehajaj, zëdhënësja e Ministrisë së Mbrojtjes tha se “pas verifikimit të të dhënave të fundit, numri i personave që kanë humbur jetën është 27. 12 prej viktimave janë në Durrës, 14 në Krujë (Thumanë) dhe 1 në Lezhë”. Ndërkohë nuk ka ende një numër të saktë të personave që janë nën rrënoja.
Viktimat janë në dy zonat më të dëmtuara, në Durrës dhe në Thumanë. Gjatë gjithë natës, ekipet e shpëtimit shqiptare, të ndihmuara nga ekipet nga Kosova, Greqia, Italia, Franca, Rumania, Mali i Zi, Maqedonia, Çekia dhe Serbia kanë vijuar operacionet e shpëtimit.
Qeveria ka shpallur sot ditë zie kombëtare. Tragjedia shqiptare ka anuluar festat kombëtare të 28 dhe 29 nëntorit. Ndërkohë mëngjesin e sotëm, kryeministri Edi Rama njoftoi shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme në zonat e prekura nga tërmeti. Sipas IGJEUM, që nga dje e deri sot, ka pasur rreth 310 paslëkundje.









6 Nov 2025 





