INTV NEWS SHOWBIZ MAGAZINA MUSIC MOVIES FASHION MED+ SPORTS VIDEOS

Gratë shqiptare për pagat më pak të diskriminuara se ato të shteteve të BE-së[VIDEO]

Publikuar më: 15:31 04-01-2019

Mes shumë diskriminimeve gratë janë të pabarabarta me burrat dhe në lidhje me pagat që marrin në vendet e punës. Krahasuar me mesataren e Bashkimit Europian, hendeku i pagave në Shqipëri është më i ulët. 

Sipas të dhënave të Eurostat, diferenca në përqindje e pagës mesatare të një burri me pagën mesatare të një gruaja në BE është mesatarisht 16.2%, ndërsa në Shqipëri kjo e dhënë sipas INSTAT është 10.5%, duke u renditur e teta ndër vendet e BE-së për hendek të ngushtë. Sektori ku ekziston diskriminimi më i madh është ai i sektori financiar dhe bankar, që është edhe më i paguari në Shqipëri. Nga të dhënat e INSTAT, meshkujt në banka e kompani sigurimesh që në fakt mbizotërojnë në postet drejtuese, paguhen mesatarisht 116 mijë lekë në muaj, kurse gratë për të njëjtin pozicion 95 mijë lekë, ose 20.6 mijë lekë më pak. Punonjëset femra i diskriminon dhe administrata publike, me një hendek gjinor prej 13.6%. Gratë në punët e shtetit marrin rreth 55 mijë lekë në muaj dhe burrat 64 mijë lekë. Vendet e Bashkimit Europian me një diferencë më të ulët se Shqipëria për sa i përket pagave të burrave me ato të grave janë, Rumania me 5.2%, Italia me 5.3%, më pas vjen Luksemburgu, Polonia, Sllovenia dhe Kroacia me 8.7%. Sipas të dhënave të Eurostat diferencën më të lartë midis pagës së një burri dhe pagës së një gruaje ndër vendet e Bashkimit Europian e ka Estonia me 25.3%. Më pas renditet Çekia me 21.8%, Gjermania, Mbretëria e Bashkuar dhe Austria me 20%. Ndërsa shtetet më të zhvilluara si Holanda dhe Franca kanë një diferencë në përqindje më të ulët se mesatarja e Bashkimit Europian përkatësisht 15.6 dhe 15.2%.

Article Logic
Execution time: 0.0035109519958496