INTV NEWS SHOWBIZ MAGAZINA MUSIC MOVIES FASHION MED+ SPORTS VIDEOS
Gjyq maratonë për Saimir Tahirin që prej orës 9/ Prokuroria kërkon 12 vite burg! Ja ç’ka ndodhur deri tani

Gjyq maratonë për Saimir Tahirin që prej orës 9/ Prokuroria kërkon 12 vite burg! Ja ç’ka ndodhur deri tani

Publikuar më: 12:49 10-09-2019

Që nga ora 9 e mëngjesit ka nisur seanca gjyqësore kundër Saimir Tahirit. 12 vite heqje lirie ka kërkuar Prokuroria për Krime të Rënda për ish-ministrin e Punëve të Brendshme Saimir Tahiri, të vënë nën akuzë për tre vepra penale “Korrupsion të zyrtarëve të lartë”, “Trafik të lëndëve narkotike kryer në bashkëpunim” dhe “Grup të strukturuar kriminal”, në kuadër të dosjes ‘Habilaj’. E njëjta kërkesë u bë edhe për Jaeld Çelën, ish-drejtorin e Policisë së Brendshme në kohën kur Tahiri ishte ministër. Nëse Gjykata për Krime të Rënda do të pranojë të plotë kërkesën e prokurorisë, pra 12 vite burg, atëherë dënimi për Tahirin dhe Çelën do të konvertohej në 8 vite heqje lirie, kjo pasi gjykata ka pranuar më herët gjykimin e shkurtuar. Me gjykim të shkurtuar, masa e dënimit ulet me 1/3. 

Seanca gjyqësore është ndjekur edhe nga një përfaqësues i ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ndërsa tashmë po vijon me mbrojtjen e Tahirit, shkruan shqiptarja.com
Saimir Tahiri po bën mbrojtjen. Ai përfaqësohet nga avokati Maks Haxhia, por Tahiri po i shpalos vetë argumentet mbrojtëse. Ai ka një tabelë në formë skice ku ka radhitur argumentet mbrojtës ndaj akuzave të ngritura ndaj tij. Saimir Tahiri ka mohuar të ketë njohje dhe të ketë favorizuar në trafikun e drogës vëllezërit Florian dhe Mojsi Habilaj, të cilët janë arrestuar në Itali dhe po gjykohen atje për trafik droge. Ish-ministri ka pranuar vetëm që tu ketë shitur makinën e tij, Audi AA 003 GB, me të cilën Habilajt kanë kaluar kufirin teksa automjeti ishte akoma me letra në emër të ish-ministrit të Punëve të Brendshme.
Referuar akuzave se i ka bërë të "paprekshëm" trafikantët duke i hapur dyert për të bërë trafik nga deti, ish-ministri Tahiri paraqiti me skicë vitet dhe shkresat që i ka dërguar koleges së tij në atë kohë ministre e Mbrojtjes Mimi Kodheli. Sipas Tahirit, ai i ka kërkuar të marrë masa dhe të rregullojë radarët në Durrës dhe Vlorë, pasi ka pasur informacione që ka lëvizje të dyshimta në det. "jam i pastër", është shprehur ish-ministri duke kërkuar të gjenden se kush i ka fikur radarët.

Article Logic
Execution time: 0.0035769939422607