INTV NEWS SHOWBIZ MAGAZINA MUSIC MOVIES FASHION MED+ SPORTS VIDEOS
Gazetarja Iva Tiço: Pse e intervistova Ermalin, fierakun tim, këngëtari rrëfen historinë e tij me muzikën [FOTO]

Gazetarja Iva Tiço: Pse e intervistova Ermalin, fierakun tim, këngëtari rrëfen historinë e tij me muzikën [FOTO]

Publikuar më: 13:08 05-03-2019

"Për të parën herë për Ermal Metën kam dëgjuar rreth tre vjet më parë, në emisionin e mëngjesit të Top Channel në një lidhje direkte realizuar me Skype. Bëhej fjalë për një shqiptar në Sanremo dhe përpara se të mendoja të ndryshoja kanal, me idenë që mund të ishte ndonjë lidhje të largët shqiptare, dëgjova emrin puro shqiptar dhe se djaloshi ishte Iindur në Fier… Nuk të ndodh çdo ditë të dëgjosh që “patrioti” yt ka bërë kaq lart. Dhe teksa për vite me radhë është folur në media për suksese botërore të qena a të paqena, është bërë tifo dhe për pjesëmarrje në aktivitete të dorës së dytë, një djalosh shqiptar pa bërë fare bujë në mëmëdhe ia kishte dalë të prekte skenën e SanRemos së shumëlakmuar. Përpara atij konkurrimi që i solli vendin e tretë, edhe herë të tjera, si pjesë grupi muzikor por dhe si autor i shumë e shumë suksesesh, të kënduara nga të tjerët.

Në hotel Plaza, ku e takoj pak orë pasi ka mbërritur në Tiranë, për të bërë një intervistë që ai ka pranuar ta bëjë për një portal dhe jo për studiot e mëdha televizive, teksa montohen kamerat mund të flasim pak për qytetin që na lidh bashkë. Eshtë miqësor, me zë te qetë, ngjan më i imët se në ekran dhe ca nga mospërvoja ime në intervista me kamera, ca nga butësia e tij, biseda shket si mes miqsh, pa atë formalitetin e numrit shumës. Flasim pak për Fierin dhe më tregon se ku e ka pasur shtëpinë dhe unë i tregoj për joshjen që ushtronte mbi gjithë qytetin shkolla e Muzikës. Eshtë kurreshtar ta shohë sërish rrugën e dikurshme dhe kurreshtja i shtohet edhe më kur i them që asgjë nuk ka mbetur si në kujtimet tona dhe se rrugët nuk njihen më, as shtëpitë nuk janë …

Gjithsesi Ermal Meta nuk është tip nostalgjik për fëmijërinë, aq më pak për qytetin. Ka më shumë gjëra të bukura në historinë, që nis me ikjen nga Fieri dhe teksa kamerat ndizen dhe e kuptoj që kthimi në të shkuarën mund ta bezdisë aq sa të mos ketë dëshirën për të vijuar më tej, mendoj që nuk ia vlen të merremi me këto lloj historish, por më tepër të njohim atë Ermal të vështirë për t’u zbërthyer në gjërat private, por që flet kaq shumë me anë të këngëve. Dhe të rrëzojmë disa mite si ai i muzikantit që suksesin e shijon me festa të mëdha, shampanjë e vajza të bukura. Apo të shqiptarit që shihte Sanremon dhe nuk do kishte guxuar ta ëndërronte. Ermal Meta nuk është aspak kështu", shprehet Iva Tiço. 

TIO.jpeg

 

Historia e Ermal Metës me muzikën nisa para rrugëtimit të tij në Itali, që do të thotë para moshës 12-vjeçare. Çdo gjë që ka mësuar sot këngëtari i njohur shqiptar i ka falë vullnetit të tij, pa shkollë dhe pa kurse. Në një rrëfim ekskluziv për “Tiranapost.al”, Ermal Meta rrëfen se viti i vetëm në shkollën e muzikës ishte gjatë kohës kur jetonte në Fier dhe kujtimi që ka nga ajo kohë nuk është i këndshëm.

“Mbaj mend vetëm atë shkopin e gjatë që kishte mësuesja e pianos dhe godiste tek duart. Në Itali pastaj nuk kam bërë shkollë muzike. Pianon e vazhdova vetë, edhe kitarën gjithashtu”, tregon Meta në një intervistë me gazetaren Iva Tiço.

Por dashuria për muzikën e ndoqi edhe përtej oqeanit. Sebep për të vazhduar ëndrrën e tij të fëmijërisë u bë një tastierë e vogël që iu dhurua motrës nga nëna, por e përvetësoi ai.

“Ka shumë njerëz që kanë studiuar vetë. Mjafton ta kesh pasion. Mamaja ime bleu një tastirë për motrën, se donte që ajo të bëhej violiniste. Por motrës nuk i interesonte fare violina dhe ajo mendoi se mund t’i interesonte pianoja, ndaj dhe bleu një tastirë të vogël. Atë tastirën brenda dy ditësh e mora unë. I thashë është OK. Lerë ti se është puna ime kjo”, tregon Ermal Meta./tiranapost.al

Article Logic
Execution time: 0.0040950775146484