INTV NEWS SHOWBIZ MAGAZINA MUSIC MOVIES FASHION MED+ SPORTS VIDEOS
Gazetari investigativ jep koordinatat se ku mund të jenë fshehur paratë, që u grabitën në Rinas

Gazetari investigativ jep koordinatat se ku mund të jenë fshehur paratë, që u grabitën në Rinas

Publikuar më: 22:15 23-04-2019

Gazetari investigativ Artan Hoxha ka zbuluar një detaj të pathënë deri tani në lidhje me fshehjen e parave që u grabitën në 9 prill në Rinas. Ai tha se dyshimet e policisë janë që paratë e grabitura mund të jenë fshehur nga autorët shumë pranë zonës së Rinasit.

I ftuar në studion e Report.tv, gazetari Hoxha sqaroi se kërkimet e policisë janë në trekëndëshin: Fushë-Krujë, Fushë-Prezë dhe Tapizë e Sipërme.

Duke marrë parasysh vlerën e madhe të parave të grabiturave, rreth 6 milionë euro, dhe zhurmën e madhe të krijuar për grabitjen, autorët dyshohet t'i kenë fshehur paratë pranë tunelit në Tapizë ku dogjën furgonin e dytë me të cilin u arratisën pasi Admir Murataj u vra gjatë shkëmbimit të zjarrit me policinë. Gazetari Hoxha solli në vëmendje edhe një grabitje të kryer nga i njëjti grup në Greqi, kur grabitësit shqiptarë i fshehën paratë dhe i morën ato në Greqi disa muaj më vonë, pasi erdhën në Shqipëri.

"Duke qenë se ishte një vlerë e madhe parash, kërkimet e policisë, duke aktivizuar edhe SHISH, janë fokusuar mbi dyshimin që paratë të jenë ende të fshehura, strehuara në zonën afër Rinasit, nga Fushë-Kruja, Fushë-Preza, deri në Tapizë e Sipërme, ku është djegur furgoni tjetër. Ky është trekëndëshi i kërkimeve për sasinë e parave. Për shkak të zhurmës së madhe ka qenë e vështirë për tu transportuar. Edhe kur bënë grabitjen e 1 milionë eurove në Larisa, nuk i sollën menjëherë në Shqipëri, por shkuan muaj më vonë për t'i marrë", tha gazetari Hoxha.

Kush është shqiptari tjetër i arratisur nga burgu grek që dyshohet për grabitjen në Rinas?

Gazetari Artan Hoxha, tha se policia ka dyshime që pjesë e grupit dhe bashkëpunëtorëve të grabitësve të miliona eurove në aeroportin e Rinasit, të jetë edhe Taulant (Roland) Luli. 33-vjeçari ishte pjesë e grupit të shqiptarëve që në 22 mars 2013 u arratisën nga burgu i Trikallasë në Greqi, pjesë e të cilit ishte edhe Admir Murataj, i vrarë gjatë shkëmbimit të zjarrit me policinë pas grabitjes në Rinas në prill 2019.

 

Article Logic
Execution time: 0.0038549900054932