INTV NEWS SHOWBIZ MAGAZINA MUSIC MOVIES FASHION MED+ SPORTS VIDEOS
Forcimi i lekut ka një anë negative në lidhje me konkurrueshmërinë në eurozonë

Forcimi i lekut ka një anë negative në lidhje me konkurrueshmërinë në eurozonë

Publikuar më: 09:58 23-07-2019

Vitet e fundit monedha vendase leku është mbiçmuar ndjeshëm në raport me monedhat e tjera.

Sipas Fondit Monetar Ndërkombëtar kursi real është rritur që nga viti 2015 duke tejkaluar monedhat e të gjithë fqinjëve rajonale edhe pse disa prej tyre kanë përjetuar përmirësim të deficitit tregtar gjatë 5 viteve të fundit.
Rreth 80% të shkëmbimeve tregtare Shqipëria i ka me vendet e Eurozonës të cilat kanë në përdorim monedhën e përbashkët euro. Kjo ka bërë që leku të jetë më i fortë se monedhat e tjera. Mbiçmimi i lekut me rreth 12 pikë përqindje në 4 vitet e fundit me monedhat ku Shqipëria shkëmben mallra dhe shërbime e ka bërë Shqipërinë më pak konkurruese edhe në raport me Ballkanin. Kjo po reflektohet së fundmi edhe me rënien e eksporteve në vlerë, pas më shumë se 2 dekada rritje të vazhdueshme.
Nga janari 2005 deri në fund të vitit 2007 leku shqiptar ishte forcuar me ritme më të lartë se monedhat rajonale, por pas krizës së vitit 2008 kursi i këmbimit të lekut me valutat kryesore pësoi rënie. Forcimi i lekut mori kthese në maj të vitit 2014 dhe vlera e tij u rrit me ritme të shpejta, duke tejkaluar të gjitha monedhat e rajonit. Në janar të vitit 2019, vlera e lekut në tregun e këmbimit tejkaloi edhe ritmet e dinarit serb i cili më parë kishte performancën më mirë në këmbimin valutore në raport me rajonin.
Nga ana tjetër Shqipëria në fund të vitit 2018 kishte deficitin e llogarisë korrente më të lartin në Rajon pas Malit të Zi dhe Kosovës.
Sipas Monitor Shqipëria është një vend me një ekonomi të vogël e të hapur, ndaj dhe kursi i këmbimit të lekut luan një rol të rëndësishëm në ndikimin e nivelit të çmimeve në Shqipëri dhe në bilancin e pagesave në vend. Gjithashtu, hapja e ekonomisë shqiptare gjithnjë e më shumë ndaj tregjeve të huaja, përbën një interes të veçantë lidhur me pozitën konkurruese të bizneseve shqiptare në tregtinë në vend dhe jashtë tij.

Article Logic
Execution time: 0.0024998188018799