INTV NEWS SHOWBIZ MAGAZINA MUSIC MOVIES FASHION MED+ SPORTS VIDEOS
Deputeti i PDIU paralajmëron shkarkimin e Idrizit nga posti i kryetarit

Deputeti i PDIU paralajmëron shkarkimin e Idrizit nga posti i kryetarit

Publikuar më: 16:18 07-08-2017

PDIU humbi mandatin e deputetit në Qarkun e Tiranës për rreth 30 vota, duke lënë kështu jashtë parlamentit kreun e partisë Shpëtim Idrizi. Ndërsa ka kaluar më shumë se një muaj nga zgjedhjet parlamentare, deputeti i PDIU-së në qarkun e Elbasanit, Aqif Rakipi, ka paralajmëruar Idrizin duke e bërë direkt përgjegjës për humbjen e mandatit të deputetit. 

Aqif Rakipi:
“Është për të ardhur keq që kryetari i partisë të mos jetë në Parlament. Nuk më vjen mirë. Për pjesën e kryetarit ne do të ulemi dhe do të diskutojmë se si do të vazhdojmë. Por për moshyrjen e Shpëtim Idrizit në Parlament nuk bëj përgjegjës njerëzit, sesa vetë kryetarin.
Së pari, kryetari arsyet e humbjes duhet t’i kërkojë te vetja. Në fushatë po nuk dole të takosh njerëzit kudo që të jenë, po nuk shkove t’i respektosh, në komunitetet e tyre, në shtëpi, në biznese, njerëzit nuk të mbështesin, sepse njerëzit nuk të shohin më si kryetar partie apo si sigël partie, por të vlerësojnë nga marrëdhënia njerëzore direkete që ti krijon. 29.500 vota në Elbasan ne i kemi marrë si një marrëdhënie besimi direkt që kemi vendosur me votuesin dhe jo nga sigla e partisë, sepse nuk jemi as PS dhe as PD që njerëzit të të vijnë me sy mbyllur. Nuk ka më bastione, sidomos me partitë e vogla.
Pse nuk na ka votuar komuniteti çam në Tiranë, ne këtë duhet të analizojmë. Pse nuk na ka votuar?! E vërteta është se Shpëtim Idrizi ka bërë shumë për çështjen çame. Por edhe Kryeministri Rama dhe ministri i Jashtëm Bushati kanë bërë shumë për çështjen çame, i falënderoj për këtë. Kjo është ana pozitive. Pjesën tjetër, të kontakteve me njerëzit, PDIU duhet ta analizojë dhe të gjejë defektet. Si politikan, Shpëtim Idrizin unë do ta klasifikoja në 10 më të mirët e Parlamentit.
Është pak dembel dhe kjo na ka dëmtuar pak. Kështu nuk ecet më tutje. Kryetari duhet të jetë më i drejtpërdrejtë, më i komunikueshëm me njerëzit dhe të afrojë në parti komunitetin çam. Nëse Shpëtim Idrizi ndryshon sa i takon punës me partinë, unë e mbështes maksimalisht nëse shtrohet siç duhet në punët e partisë, sepse i ka të gjitha kapacitetet, veçse duhet të jetë më punëtor. PDIU duhet ta afrojë dhe ta ketë me vete elektoratin e Jugut ku kemi bastionet tona, Vlorë, Durrës, Fier apo dhe Sarandë. Do të diskutojmë brenda partisë se si do zgjidhet ky ngërç.
Asnjëherë nuk kam pasur ambicie të jem në drejtim të partisë, jam me këmbë në tokë dhe realist për atë që unë di të bëj në parti. Do të jenë strukturat që do vendosin, por për shkak të rezultatit, edhe kryetari mund të japë dorëheqje, të zgjidhet një kryetar i ri. Por ne sot që flasim nuk kemi më të mirë se Shpëtim Idrizi në PDIU. Nëse del ndonjë më i mirë, ne jemi të hapur që ta çojmë partinë më përpara. Edhe unë nuk jam i përhershëm në PDIU, nëse del ndonjë i ri që i merr këto vota apo dhe me shumë, bujrum i hapur jam”.

Article Logic
Execution time: 0.0026299953460693