INTV NEWS SHOWBIZ MAGAZINA MUSIC MOVIES FASHION MED+ SPORTS VIDEOS
Klement Zguri: Tirana më e ankimuara. Ja kush refuzon rezultatin

Klement Zguri: Tirana më e ankimuara. Ja kush refuzon rezultatin

Publikuar më: 11:31 11-07-2017

Rezultati i Tiranës është më i kontestuari nga subjektet politike. Pas Partisë Drejtësi Integrim dhe Unitet, një tjetër subjekt i madh ka ankimuar rezultatin e dalë nga zgjedhjet e 25 qershorit. Kreu i Komisionit Qendror të zgjedhjeve në një dalje për mediat ka zbuluar se rezultati në Tiranë është ankimuar edhe nga Partia Socialiste.
Klement Zguri:
“Subjektet kishin të drejtën të kërkonin ndryshimin e Tabelave Përmbledhëse të Rezultatit sipas qarqeve ose/dhe pavlefshmërinë e rezultatit në një apo më shumë qendra votimi.
Këtë të drejtë e kanë shfrytëzuar Partia për Drejtësi, Integrim dhe Unitet, e cila ka kontestuar tabelën përmbledhëse të rezultatit për Qarkun Tiranë, Partia Demokratike, e cila ka kontestuar tabelën përmbledhëse të rezultatit për Qarkun Berat, si dhe Partia Socialiste e cila ka kontestuar tabelën përmbledhëse të rezultatit për Qarkun Tiranë”.
Në fakt mandati i PDIU në Tiranë është humbur për një numër shumë të ulët votash, ndërsa eksponentë të rëndësishëm të saj kanë publikuar video ku denoncojnë vjedhjen e votave në kryeqytet. Por PS, e cila ka marrë 18 mandate nuk dëshiron ta lëshojë mandatin e saj të fundit. Ndaj socialistët kanë kërkuar rinumërim të 10 kutive të votimit në kryeqytet, ku sipas saj i mungojnë nga 3 vota, por PDIU pikërisht në këto kuti pretendon se i mungojnë së paku 10 vota në secilën prej tyre.
Ndërkohë Zguri kishte një mesazh edhe për Task forcën e ngritur posaçërisht për zgjedhjet e 25 qershorit.
Klement Zguri:
“Por procesi ka regjistruar incidente dhe shkelje të natyrave të tjera, të cilat kërkojnë reagimin e përgjegjshëm edhe të institucioneve të tjera. Task Forca e ngritur nga Këshilli i Ministrave për monitorimin e Zgjedhjeve 2017 apo Departamenti i Administratës Publike, janë marrë gjerësisht me problematikën e zgjedhjeve, kanë bërë konstatime, kanë ndërhyrë dhe kanë nisur procedura hetimi administrativ. Për këtë arsye, u bëj thirrje të gjitha institucioneve të përfshira të përmbyllin me përparësi procedurat e tyre të hetimit administrativ apo penal dhe të bëjnë sa më shpejt publike rezultatet e punës së tyre”.

Article Logic
Execution time: 0.0039510726928711