INTV NEWS SHOWBIZ MAGAZINA MUSIC MOVIES FASHION MED+ SPORTS VIDEOS
Dekretimi Sandër Lleshit ministër i Brendshëm, afati i fundit për Metën…

Dekretimi Sandër Lleshit ministër i Brendshëm, afati i fundit për Metën…

Publikuar më: 19:40 03-11-2018

Ndonëse ka kaluar një javë nga propozimi i kryeministrit Edi Rama për të vendosur si pasues të ish Ministrit të Brendshëm Fatmir Xhafaj, gjeneral Sandër Lleshin,Presidenti i Republikës ende nuk ka folur me dekret për këtë propozim.

Kushtetuta e vendit i lë Presidentit 7 ditë kohë afat për emërimin e një ministri dhe ky afat skadon mesnatën e sotme.

Megjithëse Meta pranoi menjëhere dorëheqjen e Fatmir Xhafajt, propozimin e kreut të qeverisë për pasardhësin e tij Meta po e shqyrton ende.

Mësohet se Kryetari i Shtetit për këtë çështje është konsultuar me juristë por ka marrë dhe mendime nga institucionet e tjera ligjzbatuese.

Duket se Kreu i Shtetit do të konsumojë me qetësi cdo minutë që i jep Kushtetuta për t’u konsultuar për të vendosur më tej nëse do të pranojë propozimin e Edi Ramës për pasardhësin e Fatmir Xhafës.

Por në një dalje për mediat Kreu i Shtetit u shpreh se do të gjejë mënyrën e duhur për t’u shprehur në kohën e duhur duke shtuar se nuk do të ndikohet nga askush dhe nga asgjë.

Meta shtoi se është në afat dhe vendimi i marrë do të jetë kurajoz.

Ndërkohë burime nga Presidenca bëjnë me dije për mediat se Presidenti Meta ka kohë të shprehet deri ditën e hënë, duke qenë se dita e sotme në bazë të kodit administrativ cilësohet si pushim zyrtar i fundjavës, dhe e hëna cilësohet sërish brenda afateve.

E nëse Kreu i shtetit nuk dekreton ministrin e ri do të ishte precedenti i parë në historinë e demokracisë në Shqipëri.

Kujtojmë se një javë më parë me një lëvizje surprizë, kryeministri Edi Rama njoftoi përmes mediave sociale dorëheqjen e ministrit të Brendshëm Fatmir Xhafaj dhe emërimin e zëvendësuesit të tij, gjeneral Sandër Lleshi.

Pak orë pas dorëheqjes, Meta dekretoi shkarkimin e Xhafajt, por jo emërimin e Sandër Lleshit.

Article Logic
Execution time: 0.003856897354126