Mateo dhe Brikena janë bërë çifti i dytë që kanë vendosur të kurorëzojnë lidhjen e tyre me një ceremoni dasme brenda shtëpisë së “Big Brother VIP”.
Vetëm një ditë pas propozimit që Mateo i bëri Brikenës, në shtëpi është zhvilluar dasma e tyre, duke ndjekur kështu shembullin e çiftit të parë, Selin dhe Gimbo.
Ceremonia është shoqëruar me praninë e disa ish-banorëve, të cilët janë rikthyer në shtëpi për këtë moment të veçantë. Ndër ta ishte edhe Kristi, i cili mori rolin e drejtuesit të ceremonisë dhe mbajti fjalimin e rastit.
Në këtë dasmë nuk munguan as opinionistët e spektaklit, Arbër Hajdari dhe Monika Kryemadhi, të cilët ishin të pranishëm si dëshmitarë.
Vendimi për të organizuar ceremoninë erdhi pas darkës së një nate më parë, kur Brikena i tha “po” propozimit të Mateos. Më pas, përmes një Zarfi të Bardhë, “Vëllai i Madh” i dha çiftit mundësinë që ta çonin më tej lidhjen e tyre dhe ta kurorëzonin me martesë brenda shtëpisë.
“Ka qenë një udhëtim shumë i gjatë dhe i vështirë, plot emocione. Doja të thoja që ti më ke dhënë të gjitha ngjyrat e këtij BB. Do ma bësh edhe jashtë jetën më të bukur”, u shpreh Mateo.
“Unë doja të thoja shumë gjëra, por kam shumë emocione. Unë nuk e kisha menduar kurrë të bëja një dasmë këtu. Pranova sepse unë ndjej shumë për ty dhe dua të jem përgjithmonë me ty”, u shpreh Brikena.
“Ju shpall zyrtarisht burrë e grua”, tha Kristi.








1 Apr 2026 





