INTV NEWS SHOWBIZ MAGAZINA MUSIC MOVIES FASHION MED+ SPORTS VIDEOS
Avokati i Popullit përkrah protestën e studentëve

Avokati i Popullit përkrah protestën e studentëve

Publikuar më: 10:13 18-12-2018

Institucioni i Avokatit të Popullit i konsideron të drejta kërkesave të studentëve protestues. Ky institucion kërkon permes të tjerash, përgjysmim të tarifave të studimit për kategoritë e studentëve që vijnë nga shtresa sociale në nevojë, ata me aftësi të kufizuara dhe invalidët.
“Qysh prej nisjes së zbatimit të ligjit të ri të arsimit, institucioni i Avokatit të Popullit ka marrë ankesa të shumta nga studentë e familjarë të cilët kërkojnë lehtësimin e barrës së pagesave që kategori vulnerabël studentësh duhet të përballojnë për arsimimin e tyre. Vlen të theksohet se ligji i ri nuk ka marrë në konsideratë zbatimin e atyre politikave në fuqi, të cilat shërbejnë për lehtësimin e këtyre kategorive nga pagesat e tarifave. Për këtë arsye, rekomandime të njëpasnjëshme u janë dërguar institucioneve përgjegjëse arsimore nga ana e Avokatit të Popullit përgjatë gjithë viteve 2017 dhe 2018”-thuhet ne deklarate.

Sipas AP, “Ministria e Arsimit, Universiteti i Tiranës në pothuajse të gjithë fakultetet e tij, e po ashtu edhe Universiteti i Elbasanit kanë marrë në mënyrë të vazhdueshme rekomandime nga ana e Avokatit të Popullit me anë të të cilave është kërkuar zbatimi i politikave sociale që të bëjnë të mundur përjashtimin ose përgjysmimin e tarifave për këto kategori studentësh”.

Më tej, Avokati i Popullit thotë se këto rekomandime kanë marrë përgjigje sipërfaqësore nga ana e Institucioneve të Arsimit të Lartë.

“Pothuajse të gjitha kërkesat dhe rekomandimet që Avokati i Popullit ka dërguar pranë këtyre institucioneve gjatë dy viteve, kanë marrë përgjigje sipërfaqësore, të përgjithshme dhe pa asnjë angazhim konkret. Në disa raste, kërkesat tona janë injoruar plotësisht dhe vetëm në dy raste individuale është marrë në konsideratë ulja e tarifës për studentët ankues. Nuk ka pasur një qëndrim pozitiv nga ana e institucioneve për të miratuar një politikë të qëndrueshme në lidhje me këto grupe vulnerabël të shoqërisë në linjë me të drejtat e tyre të miratuara në ligjet specifike që rregullojnë të drejtat e tyre”, thekson AP.

Sipas AP, autoritetet arsimore duhet qe sa më parë të dëshmojnë me veprime konkrete vullnet për plotësimin e atyre rekomandimeve të dërguara nga Avokati i Popullit në lidhje me kategoritë e studentëve që vijnë nga shtresat sociale në nevojë.

“Institucioni i Avokatit të Popullit i përkrah kërkesat e studentëve që kërkojnë akses dhe kushte më të mira për arsim, duke bërë thirrje që të rishikohet me përgjegjësi sociale i gjithë kuadri ligjor i sistemit tonë të edukimit, për të garantuar që e drejta për arsim cilësor për të gjithë qytetarët tanë pa asnjë dallim, të jetë përgjithmonë e garantuar”- perfundon njoftimi.

Në deklaratë thuhet se AP prej dy vjetësh kërkon që të përgjysmohen ose të hiqen tarifat e studimit për kategoritë e studentëve që vijnë nga shtresa sociale në nevojë, ata me aftësi të kufizuara dhe invalidët.Protesta e studentëve do të vijojë edhe ditën e sotme, agjenda e së cilës është postuar në rrjetet sociale. Studentët pritet të mblidhen para fakulteteve respektive rreth orës 08:30, dhe më pas do të përshkallëzojnë protestën duke bllokuar rrugët përpara fakulteteve. Studentët paralajmërojnë bllokimin e rrugëve si ditën e djeshme, dhe i bëjnë thirrje policisë të mbajë një korsi rezervë, për t’i hapur rrugë urgjencave në çdo rast. Nga ana tjetër kryeministri Rama vijon të bëjë thirrje për dialog, por studentët e kanë kundërshtuar vazhdimisht duke shprehur se duan vetëm plotësimin e 8 kërkesave të tyre.

Article Logic
Execution time: 0.0037631988525391