INTV NEWS SHOWBIZ MAGAZINA MUSIC MOVIES FASHION MED+ SPORTS VIDEOS
Xhafaj në Washington: Flet për rezultatet e Vettingut në Polici dhe Reformën në Drejtësi

Xhafaj në Washington: Flet për rezultatet e Vettingut në Polici dhe Reformën në Drejtësi

Publikuar më: 17:29 24-03-2018

Në ditën e tretë të vizitës në Uashington, ministri i Brendshëm Fatmir Xhafaj u prit në Departamentin e Shtetit nga Ndihmës Sekretari i Shtetit dhe përgjegjës për Narkotikët dhe Çështjet e Zbatimit të Ligjit, James A. Walsh. në qendër të diskutimeve ishte Vettingu në Polici por dhe Reforma në Drejtësi. Ministri Xhafaj ka theksuar se Reforma ka filluar tashmë të japë rezultatet e para në kuadrin e procesit të Vetting-ut, por sfidë mbetet krijimi i organeve të reja të parashikuara nga kjo reformë. Në këtë kuadër, ai theksoi "se është shumë e domosdoshme që mbështetja dhe asistenca e SHBA të vazhdojë të jetë prezente, veçanërisht përgjatë kësaj faze delikate të procesit." Gjatë diskutimeve ai e njohu ndihmës sekretarin e shtetit me punën e nisur në funksion të reformimit të hetimit në Policinë e Shtetit, Planin e Veprimit të miratuar nga qeveria për operacionin “Forca e Ligjit”, Vetting-un në Polici, luftën kundër kultivimit të kanabisit, Policimin në Komunitet, prioritete madhore këto për Ministrinë e Brendshme. Një sfidë tjetër, në të cilën u ndal ministri, ishte ajo që ka të bëjë me luftën kundër radikalizmit, ekstremizmit të dhunshëm dhe terrorizmit. Më tej, ai u ndal në rezultatet e para të operacionit “Forca e Ligjit” si dhe nevojën për asistencë më të kualifikuar për Task Forcën Speciale, ngritur për këtë qëllim. "Në këtë kontekst, ministri Xhafaj kërkoi që asistenca amerikane në vijim të zgjerohet dhe njëherësh të orientohet edhe më mirë drejt realizimit të prioriteteve të mësipërme" thuhet në njoftimin për shtyp. Në deklaratën për mediet bëhet e ditur se Z.Walsh vlerësoi shumë pozitivisht progresin e bërë në procesin e reformave në Shqipëri, angazhimin e fortë të qeverisë aktuale duke theksuar se angazhimi i SHBA nuk ka ndryshuar dhe do të vazhdojë të jetë intensiv edhe në të ardhmen. Ndihmës Sekretari i Shtetit ndër të tjera theksoj se “SHBA do të punojnë nga afër me Shqipërinë në këtë proces jetik për vendin. Lufta efikase ndaj grupeve kriminale është esenciale, veçanërisht sa i takon qëndrueshmërisë së rezultateve në luftën kundër kultivimit të kanabisit për vitin në vijim. Ju do të keni gjithë mbështetjen e SHBA në përpjekjet tuaja serioze në luftën kundër krimit ndërnacional, korrupsionit, pastrimit të parave, ashtu si edhe në procesin e ngritjes së BKH dhe SPAK”. “SHBA do të vazhdojë me vendosmëri të mbështesë Shqipërinë në rrugën drejt BE. Departamenti i Shtetit do t’ju mbështesë duke zgjeruar dhe riorientuar ndihmën e tij teknike dhe financiare, me qëllim që t’ju përgjigjet realizimit të prioriteteve tuaja me shumë rëndësi për forcimin e zbatimit të ligjit”, nënvizoi zyrtari amerikan.

Article Logic
Execution time: 0.0036900043487549