INTV NEWS SHOWBIZ MAGAZINA MUSIC MOVIES FASHION MED+ SPORTS VIDEOS
Vuçiç: Mungesa e dialogut Serbi-Kosovë, rajoni kërcënohet nga lufta

Vuçiç: Mungesa e dialogut Serbi-Kosovë, rajoni kërcënohet nga lufta

Publikuar më: 18:29 21-03-2019

Rajoni kërcënohet nga lufta nëse vijon mungesa e dialogut mes Serbisë dhe Kosovës. Është kjo deklarata e kreut të shtetit serb Aleksandër Vuçiç, i cili i ka bërë thirrje vendeve të BE të ndërhyjnë dhe të jenë më aktivë në procesin e negociatave për heqjen e tarifës doganore për produktet me origjinë serbe.

Vonesat në rifillimin e bisedimeve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë mbi normalizimin e marrëdhënieve mund të destabilizojnë Ballkanin Perendimor i cili ende po kërcënohet nga luftërat e viteve të 90-ta, tha në një intervistë për Reuters, presidenti i Serbisë.

“Çdo ditë vonesë mund të krijojë kushte në të cilat një shkëndijë mund ta ndezë në flakë tërë rajonin. Vendet perëndimore duhet ta dinë këtë” tha Vuçiç.

Për të rifilluar dialogun, Serbia kërkon nga Prishtina të heqë tarifën ndaj mallrave serbe të vendosur në nëntor të vitit të kaluar si kundërpërgjigje të asaj që Prishtina e quan fushatë të Serbisë për parandalimin e anëtarësimit të Kosovës në organizata ndërkombëtare.

Ndërkohë presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç dhe presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi e kanë përmendur si ide ndryshimin e kufijve si pjesë e një marrëveshjeje të paqes mes dy vendeve.

Vuçiç këtë e quan "përcaktim të kufirit" ndërkaq Thaçi “korrigjim të kufijve”. Mirëpo shumë analistë këtë ide e shohin si një përpjekje shkëmbime territoriale.

Article Logic
Execution time: 0.0037858486175537