INTV NEWS SHOWBIZ MAGAZINA MUSIC MOVIES FASHION MED+ SPORTS VIDEOS
Ulje temperaturash, shi e dëborë në gjithë vendin, rrezik përmbytjesh

Ulje temperaturash, shi e dëborë në gjithë vendin, rrezik përmbytjesh

Publikuar më: 15:00 25-02-2018

Instituti i Gjeoshkencave, Energjisë, Ujit dhe Mjedisit ka informuar lidhur me parashikimin meteorologjik për sot dhe nesër.

Sipas IGJEUM, sot pasdite (e diel, dt.25) dhe nesër (e hënë, dt.26) në shumicën e qarqeve priten reshje mesatare, ndërsa në Vlorë dhe Gjirokastër intensive. Pritet prania e reshjeve të dendura në formë dëbore, kryesisht në zonat malore, por edhe në ultësirat fushore deri në afërsi të bregdetit, me një shtrirje kohore nga dita e hënë deri në fillim të ditës së mërkurë.

Reshjet e dëborës në kuota të ulëta mund të sjellin problematika të ndryshme (deri në bllokime) të transportit rrugor. Kjo është pasoje e uljes së ndjeshme të temperaturave, duke bërë që gjatë netëve i gjithë territori të jetë me temperatura negative.

Temperaturat minimale dhe maksimale të ajrit pritet të arrijnë: në bregdet: +1 / 10; në vendet e ulëta: 0 / 8 ; në vendet malore: – 10 / 0 °C.

Ndërkohë, nga llogaritjet hidrologjike të IGJEUM, rezulton se lumenjtë e mëdhenj, në të gjithë territorin do të kenë tendencë për rritje të prurjeve dhe niveleve përgjatë ditëve në vazhdim.

Rritja më e ndjeshme do të vërehet në lumenjtë e vegjël jugorë (qarqet Vlorë dhe Fier) përgjatë datave 26 dhe 27 Shkurt.

Në këto dy qarqe mund të ketë edhe probleme të vogla nga përmbytjet urbane, në varësi të gjendjes së kanalizimeve.

Moti i keq me reshje të dendura dëbore në veri dhe intensive shiu në jug të vendit do të mbizotërojë deri ditën e mërkurë.

Article Logic
Execution time: 0.0033559799194336