INTV NEWS SHOWBIZ MAGAZINA MUSIC MOVIES FASHION MED+ SPORTS VIDEOS
Udhëzimi i FUNDIT: Ja kur do të zhvillohen provimet e maturës

Udhëzimi i FUNDIT: Ja kur do të zhvillohen provimet e maturës

Publikuar më: 19:29 23-01-2019

Lindita Nikolla, pak ditë përpara dorëzimit të ;postit të ministres së Rinisë dhe të Arsimit, ka firmosur udhëzimin për zhvillimin e provimeve kombëtare të arsimit bazë për vitin shkollor 2018-2019.

Udhëzimi i botuar sot në Fletoren Zyrtare përcakton ditët kur do të bëhen provimet për lëndët Gjuhë e huaj, Gjuhë shqipe, Matematikë, nga data 10-21 qershor 2019.

1. Provimet kombëtare të arsimit bazë, për vitin shkollor 2018–2019, do të zhvillohen si më poshtë:

a) Lënda Gjuhë e huaj, më 10 qershor 2019;

b) Lënda Gjuhë shqipe, më 18 qershor 2019;

c) Lënda Matematikë, më 21 qershor 2019.

2. Nxënësit e pakicave kombëtare zhvillojnë edhe provimin kombëtar të arsimit bazë në lëndën Gjuhë amtare. Provimi kombëtar i arsimit bazë në lëndën Gjuhë amtare, do të zhvillohet më 14 qershor 2019.

3. Lista e gjuhëve të huaja, që do të jepen si provim i detyruar, janë: anglisht, italisht, frëngjisht dhe gjermanisht. Testi i gjuhës/ve të huaj/a hartohet në përputhje me gjuhën, e cila, në planin mësimor të arsimit të mesëm të ulët, trajtohet si gjuhë e huaj e detyruar në nivelin gjuhësor A2.

4. Nxënësit e klasave të 9-ta të seksioneve dygjuhëshe italiane, gjermane dhe franceze japin provim gjuhën përkatëse të seksionit në nivelin gjuhësor A2.

5. Provimet kombëtare të arsimit bazë fillojnë në orën 10:00 dhe zgjasin 2 orë e 30 minuta.

6. Procedurat e hartimit dhe të vlerësimit të testeve përcaktohen në rregulloren për “Procedurat e organizimit dhe të zhvillimit të provimeve kombëtare të arsimit bazë, viti shkollor 2018–2019”.

7. Për shkollat e pakicës kombëtare greke, teza për provimin në lëndën Gjuhë amtare, përgatitet nga institucioni arsimor vendor, përgjegjës për arsimin parauniversitar Gjirokastër. Në ditën e provimit, institucionet arsimore vendore, përgjegjëse për arsimin parauniversitar Delvinë dhe Sarandë, tërheqin tezën në institucionin arsimor vendor, përgjegjës për arsimin parauniversitar Gjirokastër.

8. Për shkollat e pakicës kombëtare maqedonase teza për provimin në lëndën Gjuhë amtare përgatitet nga institucioni arsimor vendor, përgjegjës për arsimin parauniversitar Korçë dhe tërhiqet ditën e provimit nga drejtori i shkollës, shoqëruar nga përfaqësuesi i institucionit arsimor vendor, përgjegjës për arsimin parauniversitar Korçë.

9. Nxënësit me aftësi të kufizuara zhvillojnë provimet kombëtare në përshtatje me veçoritë e tyre.

10. Për Institutin e Nxënësve që nuk Shikojnë “Ramazan Kabashi”, drejtoria e këtij instituti tërheq testin nga QSHA-ja një ditë para zhvillimit të provimit dhe e kthen atë në sistemin e shkrimit brail.

11. Nxënësi mbetës në provimet kombëtare të arsimit bazë, ka të drejtën e riprovimit në sesionin e dytë.

12. Institucioni përgjegjës për sigurimin e cilësisë në arsimin parauniversitar monitoron procesin e provimeve kombëtare të arsimit bazë dhe raporton për çdo parregullsi të vërejtur në zhvillimin e tyre.

13. Arkivimi i testeve të bëhet pranë institucioneve arsimore vendore, përgjegjëse për arsimin parauniversitar.

14. Sektori i Teknologjisë së Informacionit dhe Statistikës i institucionit arsimor vendor, përgjegjës për arsimin parauniversitar, merr nga Qendrat e Vlerësimit të Testeve dhe ruan të dhënat e çdo nxënësi, të vlerësuesve të jashtëm dhe të mjediseve ku janë realizuar provimet kombëtare të arsimit bazë. Këto të dhëna dërgohen në QSHA, institucioni përgjegjës për sigurimin e cilësisë në arsimin parauniversitar dhe MASR.

15. Ngarkohen për zbatimin e këtij udhëzimi Sekretari i Përgjithshëm, Drejtoria e Përgjithshme e Politikave dhe Zhvillimit të Arsimit, Sportit dhe Rinisë, Qendra e Shërbimeve Arsimore, institucioni përgjegjës për sigurimin e cilësisë në arsimin parauniversitar, institucionet arsimore vendore, përgjegjëse për arsimin parauniversitar dhe institucionet arsimore.

Article Logic
Execution time: 0.0025720596313477