INTV NEWS SHOWBIZ MAGAZINA MUSIC MOVIES FASHION MED+ SPORTS VIDEOS
U nda nga miliarderi rumun? Angela Martini thyen heshtjen dhe rrëfen të vërtetën e SKANDALIT të madh në Rumani të Dragos [FOTO]

U nda nga miliarderi rumun? Angela Martini thyen heshtjen dhe rrëfen të vërtetën e SKANDALIT të madh në Rumani të Dragos [FOTO]

Publikuar më: 10:30 11-06-2019

Emri i saj ka qenë më i lakuari në media gjatë fundjavës së shkuar. Shkak është bërë bashkëshorti i saj, Dragos Savulescu, i cili sipas medieve është përfshirë në një skandal të madh në Rumani. Për këtë Angela Martini flet për herë të parë në një deklaratë ku jep përgjigje edhe për divorcin.

"Katërmbëdhjetë vite më parë, në vitin 2005, shteti rumun hapi një çështje gjyqësore ndaj bashkëshortit tim, për pretendimin ligjor të një toke. Kjo ngjarje e ka zanafillën 17 vjet më parë, kur ai ishte 28 vjeç. Pavarësisht se është figurë publike dhe biznesmen i njohur në Rumani, kjo është e vetmja çështje kriminale në të cilën ai është përfshirë gjatë gjithë jetës së tij. Kjo çështje është hapur për arsye tërësisht politike, kur u prek një nga bizneset e tij. Pala akuzuese pretendonte pa të drejtë se një grup prej 35 vetash kishte shkaktuar një dëm financiar prej 114 milionë eurosh ndaj bashkisë së Konstantës, një prej qyteteve më të mëdha në Rumani. Gjithçka u pasqyrua nga mediet vendase, të cilat e kthyen çështjen në një skandal, me qëllimin e vetëm për të mbjellë urrejtje në publikun e gjerë, edhe pse bëhej fjalë për një sajesë dhe lajm të fabrikuar. Marrëveshja e bërë nga bashkëshorti im ishte e gjitha konform ligjeve rumune, gjë që e konfirmoi më vonë edhe gjykata, ku u vërtetua se dëmi ishte zero, pra, nuk kishte ekzistuar kurrë.

Në fillim të këtij viti, saktësisht më 7 shkurt, nën presionin e Shërbimit Sekret Rumun, i cili ka kontroll të plotë mbi sistemin gjyqësor rumun, gjykatësit e korruptuar të Gjykatës së Lartë Rumune morën një vendim abuziv, duke i dënuar të 35 ata persona me shumë vite burg. Mes tyre, edhe bashkëshortin tim, i cili u dënua me 5 vjet dhe 6 muaj burg, edhe pse, sipas së njëjtës sentencë të paligjshme, ai nuk i detyrohet asnjë qindarkë askujt. Të gjithë të përfshirët në këtë çështje tani ndodhen në burg, me përjashtim të bashkëshortit tim, i cili nuk pranoi të dorëzohej dhe të pranonte këtë vendim të padrejtë dhe mbi të gjitha të paligjshëm, i cili është kundër ligjit rumun, kundër ligjit europian dhe kundër ligjit europian për të drejtat e njeriut. Gjykata Kushtetuese e Rumanisë mori një vendim që konfirmoi përfshirjen e Shërbimit Sekret Rumun në sistemin gjyqësor të atij vendi, bazuar në të ashtuquajturin “protokoll”.

Të gjitha këto fakte janë ndjekur nga debate të mëdha publike dhe grindje politike, të cilat kulmuan dy javë më parë, me arrestimin e kreut të Partisë Social-Demokrate, kundërshtarit kryesor të sistemit korruptiv në atë shtet. Kështu, Shërbimi Sekret dhe e ashtuquajtura drejtësi rumune fituan. Edhe pse Rumania është në Bashkimin Europian, vitet e fundit në atë vend janë bërë abuzime të pafundme me shumë çështje të drejtësisë, çka ka çuar në arrestimin e mijëra njerëzve, duke filluar që nga biznesmenë të rëndësishëm dhe deri te politikanë. Të gjitha këto janë kryer nën hijen e një demokracie hipokrite dhe “luftës ndaj korrupsionit”, që në fakt ka nxjerrë në dritë vetëm të vërtetën e madhe: që Rumania është ende një vend i botës së tretë, një koloni, një vend ku drejtësia nuk funksionon, një vend ku Shërbimi Sekret është ai që bën gjithë lojërat ekonomike dhe politike, me ndihmën e një sistemi drejtësie të korruptuar. Shtypi rumun, por edhe ai ndërkombëtar, janë mbushur me debate dhe komente për këtë.

Menjëherë pas shpalljes së këtij vendimi, shtypi rumun, edhe ai kryesisht i kontrolluar nga Shërbimi Sekret, bëri sulme të njëpasnjëshme, duke fabrikuar lajme të rreme për bashkëshortin tim, derisa ai vendosi të publikonte të gjithë të vërtetën për këtë çështje në faqen e tij në rrjetin social “Facebook” dhe në blogun e tij personal. Vetëm atëherë shtypi reshti së sulmuari për këtë çështje, sepse u gjend përpara së vërtetës lakuriqe, të pakundërshtueshme.

Të gjitha detajet për çështjen e bashkëshortit tim janë botuar rumanisht në faqen e tij në “Facebook” dhe në blogun e tij, që prej datës 5 mars të këtij viti. E njëjta e vërtetë është botuar edhe sot anglisht dhe i ftoj të gjithë të interesuarit për këtë temë, që ta lexojnë me kujdes, për ta kuptuar si duhet (LEXO KËTU).

Duke pasur parasysh këtë situatë dhe pasi lexova lajmet e fundit për mua dhe bashkëshortin tim në shtypin shqiptar, përveç kësaj hyrjeje të rëndësishme e të nevojshme, vendosa që më në fund t’i them vetë dy fjalë shtypit shqiptar dhe popullit të vendit tim:

Unë dhe im shoq nuk jemi në proces divorci, nuk po ndahemi. Ne duhemi më shumë se kurrë! Unë nuk i qëndroj pranë atij vetëm në ditë të mira, por, mbi të gjitha, në ditë të këqija! Kjo situatë në jetën tonë na erdhi e papritur, por më bëri ta dua më shumë atë. Ai gëzon të gjithë mbështetjen time, sepse, përveç dashurisë së madhe që kam për të, edhe më shumë dashuri kam për të luftuar për të vërtetën, për të luftuar padrejtësitë! Unë nuk do të resht kurrë së luftuari për të drejtën, si për vete, ashtu dhe për të tjerët. Kjo ngjarje më ka bërë të kuptoj se si jeta ndonjëherë na befason; u përballa me reagime të dëshpëruara të njerëzve të verbër, të etur për pushtet, të pandërgjegjshëm, të gatshëm për të shkatërruar jetë njerëzish të pafajshëm vetëm e vetëm prej urrejtjes dhe zilisë. Unë jam e bindur që gjithçka ndodh për një arsye. Mund të duket paradoksale, por jam mirënjohëse që u zgjodha për të përjetuar këtë situatë në jetë. Tani m’u hapën sytë ndaj shumë gjërave dhe nuk kanë për të m’u mbyllur më kurrë. Për mua dhe bashkëshortin tim, kjo përvojë u kthye në një sfidë, në një garë kundër një sistemi drejtësie të korruptuar, nga ata që ekzistojnë vetëm në vendet e vogla, një sistem që vetëm kujton se ka pushtet mbi ne. Ne do ta fitojmë këtë garë! Ne jemi të bindur se pas errësirës vjen drita!

Jeta ime është si një film, por i vërtetë, dhe tani u bë si filmi i dasmës sonë . Po e përjetoj për së gjalli këtë eksperiencë të pabesueshme! Tani, ne po i përdorim të gjitha energjitë për ta zgjidhur ligjërisht këtë çështje, me avokatët më të mirë. Për fat të mirë, jemi drejt zgjidhjes, sepse u jemi drejtuar instancave të vërteta të drejtësisë, në vende me demokraci të vërtetë, ku nuk lejohen absolutisht abuzime të kësaj natyre. Shumë shpejt gjithçka do të marrë fund dhe e vërteta do të dalë në shesh.

Nga shqiptarët dhe Shqipëria ime kërkoj besim dhe mbështetje, nga ata që më duan dhe më respektojnë kërkoj që në vend që të më sulmojnë, të më përkrahin në këtë luftë për jetë kundër padrejtësive.

Kjo është një deklaratë për shtyp që po e jap vetëm për shqiptarët e mi, kudo që ndodhen. Ne do ta sulmojmë pa mëshirë këtë sistem drejtësie të korruptuar dhe, shumë shpejt, kur të jetë koha e duhur, në shtypin ndërkombëtar do të nxjerrim në dritë abuzime të mëdha.

Kriminelët e vërtetë të atij vendi, ata që fabrikojnë lajme të rreme dhe shtiren sikur bëjnë drejtësi, kanë harruar të marrin parasysh një detaj “të vogël”: MUA – bashkëshorten e tij shkodrane!!!/revistawho.com

angela-new-600x652.jpg

Article Logic
Execution time: 0.0036258697509766