INTV NEWS SHOWBIZ MAGAZINA MUSIC MOVIES FASHION MED+ SPORTS VIDEOS
Thaçi takon Putinin: Rusia mbështet marrëveshjen Kosovë-Serbi

Thaçi takon Putinin: Rusia mbështet marrëveshjen Kosovë-Serbi

Publikuar më: 17:42 12-11-2018

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, thotë se Rusia mbështet marrëveshjen Kosovë-Serbi. Kreu i shtetit ka bërë të ditur qëndrimin e Moskës pas takimit që zhvilloi në Paris me presidentin e Rusisë, Vladimir Putin. Përmes një postimi në Twitter, Thaçi tha se biseda me shefin e Kremlinit u përqendrua në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë, me qëllim arritjen e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse dhe të obligueshme. "Për këtë çështje, Putin ishte i qartë: Nëse ju (Kosova dhe Serbia) arrini marrëveshje paqësore, Rusia do ta mbështesë atë", tha Thaçi në Twitter. Presidentët Hashim Thaçi dhe Vladimir Putin, ashtu si dhe dhjetëra liderë të tjerë botërorë, morën pjesë në ceremoninë e zhvilluar me rastin e 100-vjetorit të përfundimit të Luftës së Parë Botërore. Thaçi po udhëheq delegacionin e Kosovës në bisedimet me Serbinë për normalizimin e marrëdhënieve. Arritja e një marrëveshjeje mes Prishtinës dhe Beogradit është synim i të dyja palëve si kusht për përparimin e tyre në rrugën e integrimit evropian. Edhe pse Putin pohon se do të mbështesë  marrëveshjen mes dy vendeve, Rusia ka treguar se përkrahë Serbinë dhe mban të njëjtin qëndrim për sa i përket kundërshtimit të pavarësisë së Kosovës. Vetëm pak ditë më parë ministri i Jashtëm rus deklaroi se Rusia mirëpret vendimin e vendeve që kundërshtojnë njohjen e shtetit të Kosovës duke e konsideruar atë si pjesë territoriale të Serbisë.

Article Logic
Execution time: 0.0037100315093994