Godina e Kuvendit të Kosovës është sulmuar me predha antitank. Dy shpërthime të fuqishme njëra pas tjetrës u dëgjuan rreth orës 23:00. Menjëherë, në vendin e ngjarjes kanë shkuar forcat e policisë të cilat kanë rrethuar vendin ku ka ndodhur shpërthimi. Fatmirësisht nuk raportohet për ndonjë të lënduar gjatë këtij sulmi, ndërsa autoambulancat dhe zjarrfikëset kanë mbërritur në vendngjarje shkuan edhe forca të KFOR.
Fotoja e godinës së Kuvendit të Kosovës, tregon se është sulmuar dje me predhë anti-tank. Pak metra me tutje afër nënstacionit të energjisë elektrike u gjet një motoçikletë që po digjej. Policia dyshon se ajo është motoçikleta që lëvizën atentatorët. Policia ka bllokuar të gjitha rrugët e Prishtinës dhe ka filluar të kontrollojë qytetarët. Ende nuk dihet qarte se cilat mund të jenë motivet e këtij sulmi mbi ndërtesën e Parlamentit të Kosovës. Informacionet e para, shpërthimi ka ndodhur në afërsi të garazheve të Kuvendit. Policia dyshon se sulmi është kryer me predhë antitank por nuk ka akoma një konfirmim zyrtar.
Mediat kosovare raportojnë se sulmi është kryer me një mortajë krahu nga dy persona me motoçikletë, ndërsa pas kryerjes së sulmit ata e kanë djegur motoçikletën dhe janë larguar nga vendi i ngjarjes. Ky shpërthim ka ndodhur në ditën kur Qeveria ka derguar në Kuvend projekligjin për demarkacionin me Malin e Zi, nderkohë që opozita ka paralajmëruar veprime të dhunshme nëse i njëjti projektligj kalon edhe në Kuvend.