INTV NEWS SHOWBIZ MAGAZINA MUSIC MOVIES FASHION MED+ SPORTS VIDEOS
Të marrësh para pa kushte! Vetëm Gjermania mund të eksperimentojë në këtë mënyrë

Të marrësh para pa kushte! Vetëm Gjermania mund të eksperimentojë në këtë mënyrë

Publikuar më: 10:43 01-03-2019

Në Gjermani ka nisur një eksperiment me 250 marrës të asistencës sociale të përzgjedhur rastësisht. Ata do të vazhdojnë ta marrin asistencën edhe nëse i shkelin kushtet e vëna nga shteti. Zakonisht marrësit e asistencës sociale në Gjermani duhet të përmbushin disa kushte për të përfituar nga asistenca sociale. Ata duhet të paraqiten rregullisht te Agjencia e Punës (Jobcenter) dhe të dëshmojnë se po kërkojnë punë dhe të aplikojnë për vendet e punës që i sugjeron agjencia. Nëse nuk e bëjnë këtë, atyre mund t'u shkurtohet asistenca, pra, të sanksionohen.
Por 250 të përzgjedhurit nuk kanë nevojë t'i nënshtrohen më këtyre rregullave, se paku per tre vjet. Aktivistët e organizatës "Sanktionsfrei" (Pa sanksione), do t'ua rimbursojnë atyre çdo sanksion që u imponohet. Ky eksperiment do të provohet te 250 përfituesit e parë, të cilëve do t'u garantohet një e ardhur bazike prej 416 euro në muaj.
Pjesëmarrësit do të plotësojnë formularë në të cilën do të dokumentojnë efektet që do të ketë ky status i ri i tyre. Një grup tjetër prej 250 vetësh që merr asistencë sociale do të shërbejë si grup kontrolli për këtë eksperiment. Ata do të mbushin të njëjtat formularë, por do të vazhdojnë të trajtohen si të tjerët, pra, nëse nuk shkojnë në takime, ose nuk kërkojnë punë, do të sanksionohen.
Ky eksperiment quhet "Hartz Plus" dhe nuk bëhet në kuadër të lëvizjes për të Ardhurën Universale Bazë (AUB). Ai financohet nga një organizatë private dhe nuk përkrahet nga qeveria gjermane. Por mesazhi është i njëjtë në të dyja rastet: të ardhura të pakushtëzuara.
Merr punë për të mos punuar
Kritika më e vazhdueshme me të cilën përballen mbështetësit e idesë së të ardhurave universale është çështja e kostos. Për shembull, nëse afërsisht 70 milionë të rritur në Gjermani do të merrnin të gjithë nga një shpërblim të pakushtëzuar dhe universal prej 416 euro në muaj (niveli aktual i asistencës sociale Hartz IV), kostoja vjetore për qeverinë gjermane do të shkonte në 350 miliardë euro. Në një vend të pasionuar pas kursimeve kjo nuk është e lehtë të shitet.
Daniel Feher thotë se organizata të tilla si UBIE nuk përkrahin modele specifike të financimit, por duan të promovojnë temën e AUB-së si një debat i gjerë politik. Feher mendon se që politikat e AUB-së të jenë të qëndrueshme, do të duhet një rishpërndarje themelore e pasurisë përmes politikave tatimore.
Për Hilmar Schneider, këto janë qiqra në hell. "Unë dyshoj se njerëzit do të vazhdojnë ta mbështesin AUB-në kur ta marrin vesh se sa duhet të paguajnë për të," thotë ai.
Ai thotë se kostoja e një pagese bazike universale është një nga problemet më të mëdha të saj. "Me qëllim të kursimit të të ardhurave për potencialisht 15-20 për qind të popullsisë, duhet të subvencionohet 100 për qind e popullsisë në mënyrë të barabartë, edhe pse 80-85 për qind nuk kanë nevojë." Schneider vetë nuk beson se automatizimi do të sjellë atë katastrofë që parashikohet: " AUB-ja do t'i bënte edhe më pak atraktivë vendet e punës me paga të ulëta, do të sillte rritjen e çmimeve dhe do të ulte në përgjithësi standardin e jetesës, pa e ulur nivelin e varfërisë."
Megjithatë, polarizimi gjithnjë në rritje i politikave, në të dy anët e Atlantikut, dëshmon se debati për të ardhurat bazë do të mbetet. Rezultatet e HartzPlus-it do të shikohen me vëmendje. DW.COM

Article Logic
Execution time: 0.0038809776306152