Tirana u përfshi sot nga stuhi me reshje shiu e breshëri, e cila ka kufizuar qarkullimin në rrugët e qytetit. Stuhia ka vijuar për gati një orë, duke lënë pas pemë të rrëzuara, por pavarësisht kësaj, ndërhyrja e shpejtë e punonjësve të Bashkisë së Tiranës ka bërë që situata të normalizohet shpejt. Forcat e zjarrfikëses së kryeqytetit, Policisë Bashkiake dhe ndërmarrjes nr 1 dhe nr 2 të qytetit dolën në terren dhe aktualisht po punojnë për heqjen e pemëve të rrëzuara nga era e fortë. Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, ka reaguar pas situatës së krijuar nga stuhia e fortë e shiut, që përfshiu kryeqytetin në orët e mesditës së sotme. Veliaj ju bën thirrje qytetarëve të bëjnë kujdes në trafik. Në një postim në facebook Veliaj shkruan:
‘’Stuhia e rrëmbyeshme la pasoja në disa akse rrugore. Skuadrat janë në terren për të bërë evadimet. Ju lutem kujdes në trafik gjersa të jenë pastruar gjithë akset. Të gjitha pemët e dëmtuara do të rimbillen.’’