INTV NEWS SHOWBIZ MAGAZINA MUSIC MOVIES FASHION MED+ SPORTS VIDEOS
Shqiptarët nuk besojnë tek politika, gjyqësori dhe doganat. 'Janë të korruptuara'

Shqiptarët nuk besojnë tek politika, gjyqësori dhe doganat. 'Janë të korruptuara'

Publikuar më: 09:14 09-07-2018

Sërish institucionet shqiptare perceptohen se kanë nivel të lartë korrupsioni. Shqiptarët nuk ju besojnë asnjë institucioni ndërsa partitë politike janë atë që perceptohen me nivel të lartë korrupsioni. Jo vetëm kaq por dhe gjyqësori, doganat dhe sistemi shëndetësor perceptohen nga shqiptarët që kanë nivelin më të lartë të korrupsionit ndër vendet e Ballkanit Perëndimor. Konkluzioni ka dalë nga barometri i Opinionit Publik të vitit 2018, i publikuar së fundmi nga Këshilli i Bashkëpunimit Rajonal (RCC). Mbi 6000 të anketuarve nga Shqipëria, Bosnjë Hercegovina, Maqedonia, Kosova, mali i Zi dhe Serbia u është drejtuar pyetja “Në çfarë mase ju bini apo nuk bini dakord që kategoritë e mëposhtme në ekonominë tuaj janë të ndikuara nga korrupsioni?”, ku në kategoritë kryesore përfshihen: partitë politike, sistemi gjyqësor, doganat, mjekësia e kujdesi shëndetësor, parlamenti, policia, media, zyrtarët publikë, sistemi i edukimit, sektori privat, OJF-të, ushtarakët, institucionet fetare.
Nuk ka asnjë habi, që shqiptarët mendojnë se kategoria më e korruptuar në vend janë politikanët, me një indeks prej 88 pikësh, që është më i larti në rajon për të gjitha kategoritë. Shtetet e tjera, qytetarët e të cilëve mendojnë se politikanët e tyre janë më të korruptuarit janë Bosnja (83) dhe Kosova (82). Malazezët janë ballkanasit që mendojnë se politikanët janë më pak të korruptuar.
Shqipëria kryeson dhe për perceptimin e qytetarëve për korrupsionin në sektorin gjyqësor, me 87 pikë. I dyti është Bosnja me 81 pikë. Shtetasit e Kosovës kanë mendimin më pozitiv për gjyqësorin, të ndjekur nga malazezët. Kategoria e tretë, ku kryesojmë për korrupsionin është shërbimi mjekësor dhe shëndetësor, me 82 pikë. Edhe në këtë kategori na ndjek pas Bosnja (80), ndërsa opinion më pozitiv për mjekët kanë në Kosovë. Nuk ndryshon shumë perceptimi as për doganat, që janë të katërtat më të korruptuarat në vend, sipas opinionit të publikut, por sërish kryesojmë në Ballkan, të ndjekura nga Bosnja, e në fund vjen Kosova. Për kategoritë e tjera, perceptimi për korrupsionin ulet, teksa është shumë më i lartë në Bosnjë, duke bërë që Bosnja të rezultojë me nivelin më të lartë në total të këtij treguesi, ndërsa Shqipëria renditet e dyta.

Article Logic
Execution time: 0.0035948753356934