INTV NEWS SHOWBIZ MAGAZINA MUSIC MOVIES FASHION MED+ SPORTS VIDEOS
SHBA, Xhafaj: Kërkojmë një oficer të dedikuar të DEA-s për Shqipërinë

SHBA, Xhafaj: Kërkojmë një oficer të dedikuar të DEA-s për Shqipërinë

Publikuar më: 12:03 23-03-2018

Droga, aktiviteti i organizatave kriminale, pastrami i parave ishin disa nga çështjet e diskutuara në Washington mes ministrit të Brendshëm Fatmir Xhafaj dhe zëvendësdrejtorit të DEA (Agjencia për luftën kundër drogës), Anthony Williams dhe ekipit e tij të Drejtorisë Operacionale.

Ministri Xhafaj kërkoi të rritet kapaciteti i kësaj zyre, duke pasur një oficer të dedikuar për Shqipërinë, apo përmes intensifikimit të takimeve dhe operacioneve të përbashkëta, mes Policisë shqiptare dhe Zyrës Rajonale të DEA-s në Greqi.

Ministri Xhafaj bëri një ekspoze të arritjeve në luftën kundër kultivimit të kanabisit duke u ndalur në masat dhe rezultatet e vitit 2017, të cilat bënë të mundur nxjerrjen e vendit nga harta e vendeve, që kultivojnë kanabis. Ai prezantoi disa nga masat kyçe të programuara për të garantuar këtë standard edhe gjatë vitit 2018.

Në vijim, Xhafaj falënderoi DEA-n për bashkëpunimin dhe kërkoi një intensifikim të këtij bashkëpunimi në të ardhmen, i cili duhet të fokusohet në shkëmbimin më të shpejtë të informacionit, ndërmjet Policisë shqiptare dhe Zyrës Rajonale të DEA-s, në Athinë.

Përfaqësues të DEA-s në nivel drejtues operacional, u shprehën të gatshëm për të gjetur mënyrat e duhura për një bashkëpunim më të efektshëm dhe të shpejtë në këtë nivel, sa u përket hetimeve të përbashkëta të trafikut të drogës dhe aseteve kriminale të përftuara nga ky aktivitet, mbështetjen me teknika të zhvilluara për ndjekjen dhe dokumentimin e veprimtarisë kriminale në këtë fushë.

Gjithashtu u diskutua lidhur me mbështetjen që DEA mund të ofrojë për identifikimin e rrugëve të pastrimit të parave jashtë territorit të Shqipërisë dhe sigurimin e provave, si dhe zgjerimin e bashkëpunimit për të zhvilluar hetime rreth transaksioneve financiare të këtyre grupeve kriminale, apo të personave zyrtarë të lidhur me ta.

Article Logic
Execution time: 0.0036001205444336