Një ngjarje e rëndë ka tronditur botën e sportit, ku një boksier rus ka humbur jetën si pasojë e një goditje fatale që pësoi gjatë ndeshjes me kundërshtarin.
Bëhet fjalë për 28-vjeçarin, Maxim Dadashev, i cili përfundoi në koma pas një goditje të fuqishme të marrë nga kundërshtari, që i shkaktoi një hematomë "subdural".
Lajmi u dha nga trajneri i tij, Buddy McGirt, ndërkohë që boksieri rus u ndesh të premten për titullin kampion bote në kategorinë 63 kg, kundër boksierit nga Puerto Rico, Subriel Matias në MGM National Harbor në periferi të Uashingtonit.
Trajneri i tij tha për ESPN:
Kjo që ndodhi ju bën të kuptonit se çfarë lloj sporti është ky. Ai bëri gjithçka në trajnim, nuk kishte asnjë problem. Jam duke u çmendur nga dhimbja që ndiej. Çfarë mund të kisha bërë ndryshe? Por në fund të ditës, gjithçka ishte në rregull. Ai dukej mirë, ishte gati për ndeshjen, por i tillë është ky sport. Ishte vetëm një grusht që i mori jetën."
Dadashev përfundoi në koma, ndërsa iu nështrua një operacioni në Qendrën Spitalore të UM Prince George, Maryland, për gjakderdhje në tru.
Mjekët në spital thanë se sportisti kishte pësuar dëmtime të rënda në tru. Vdekja e tij u konfirmua ditën e sotme.
Ndeshja mes Matias dhe Dadashev ishte tepër e ashpër, duke detyruar trajnerin që të tërheqë rusin nga ndeshja, pasi kishte pësuar dëmtime të rënda.
Dadashev tundi kokën kur McGirt i tha atij se duhet të tërhiqej dhe hodhi peshqirin në ring, duke u dorëzuar.
Më tej, McGirt rrëfen:
E pashë atë duke u zbehur dhe kur u kthye në qoshe pas raundit të 11-të, e binda të tërhiqej nga ndeshja. Nuk do ta lija të dilte më në ring pas dëmtimeve që kishte marrë."
Boksieri 28-vjeçar u rrëzua dhe filloi të vjellë në dhomën e zhveshjes. Ai u transportua me urgjencë drejt spitalit.
Boksieri nga Puerto Rico tha pas ndeshje:
Unë shpresoj që Maxim të jetë mirë. Ai është një luftëtar i madh."
Dadashev lindi në Shën Petërburg, por jetonte në Kaliforni. Ai kishte 13 fitore rradhazi përpara se të ndeshej në finale me puertorikanin.
28-vjeçari ishte i martuar dhe kishte një fëmijë.








10 Dec 2025 





