INTV NEWS SHOWBIZ MAGAZINA MUSIC MOVIES FASHION MED+ SPORTS VIDEOS
Rama: Ua kam bërë hallall ministrat deri në 25 qershor, të mos thonë prapë na i vodhët!

Rama: Ua kam bërë hallall ministrat deri në 25 qershor, të mos thonë prapë na i vodhët!

Publikuar më: 19:31 23-05-2017

Kryeministri Edi Rama zhvilloi një bashkëbisedim me gratë dhe vajzat në qytetin e Durrësit.

Nga pakti i arritur me Partinë Demokratike, për kryeministrin Rama fitoi Vettingu dhe qytetarët shqiptarë. Ai tha se PD tashmë ka sy e vesh në qeveri dhe nuk mund të kontestojë zgjedhjet e 25 qershorit.

“Nga marrëveshja arritur mes Partisë Socialiste dhe asaj Demokratike fitoi vettingu dhe interesat e shqiptarëve”.

Kështu deklaroi kryeministri Edi Rama gjatë një takimi me gratë dhe vajzat e Durrësit.

Pakti i 18 majit, tha ai, do t`i japë mundësi opozitës të vërtetojë se PS nuk manipulon zgjedhjet.

Rama: Kur më thonë që: Ore po lëshove shumë se ata morën shumë Ministra. Me ato që fitoi Shqipëria, hallall Ministrat deri në 25 qershor. Tani kanë sytë dhe veshët brenda në qeveri, ti shikojnë dhe me 26 qershor të mos thonë pastaj prapë na i vodhët, prapë na e hodhët.

Rama tha se PS duhet të marrë 71 mandate në zgjedhjet e qershorit në mënyrë që të drejtojë e vetme timonin e reformave.

Rama: Na duhen patjetër 71 vota për PS, që ne të mbajmë timonin e reformave pa mbajtur njeri në prehër. Vonesën e votimit të vettingut kryeministri Edi Rama e lidhi me politikanët dhe prokurorët e korruptuar që, siç tha ai, janë si mishi me thoin, ndërsa shtoi se pa zbatimin e reformës në drejtesi Shqipëria nuk mund të ulet në tryezën e negociatave me BE.

Duke folur për zgjedhjet e 25 qershorit, Rama u shpreh se nëse votojnë vetëm gratë, Partia Socialiste shkon në 91 deputetë, pasi sipas tij, 65% e grave në Shqipëri votojnë për PS. Ai tha se burrat e duan shtetin për të tjerët, jo për vete.

“Nëse votojnë vetëm gratë, PS shkon në 91 deputetë në 25 qershor. 65% e grave në vend votojnë për Partinë Socialiste. Burrat thonë duam shtet, por e duan për të tjerët dhe jo për vete. Unë besoj se ne kemi të drejtë tju themi grave dhe vajzave që të votojnë PS, sepse këtu nuk është në lojë fati i partive, por fati i Shqipërisë. Lulin dhe PD i keni dhe nuk i bëni asnjë dëm që ata të rrinë në opozitë. Më mirë me ne”- tha Rama.

Ndër të tjera kryeministri Rama përmendi arritjet gjatë këtij mandati duke thënë se ai di të bëjë shtet, ndërsa të tjerët të shkatërrojnë atë.

“Ne kemi ende shumë për të bërë dhe kemi vënë bazën. Sikur paratë që janë shpenzuar për ujësjellës në çerek shekulli të ishin përdorur me mend do ishin ndërtuar ujësjellësit e Shqipërisë. Sot ka ende zona që nuk kane ujë. Në 2013 Shqipëria kishte vetëm 120 mijë kanale kulluese, ndërsa sot janë 220 mijë hektar tokë bujqësore që ujitet. Është ulur importi sepse është rritur prodhimi vendas. Këtyre jepu një kanal po nuk ta bllokuan për një dimër. Jam i bindur se ne nuk mund t’i themi njerëzve se ne mund të bëjmë çudira, por një provë ua kemi dhënë. Ne dimë të bëjmë shtet, kurse ata dinë të shkatërrojnë shtetin. Dhe për të bërë shtetin na duhet vota”, u shpreh Rama.

Article Logic
Execution time: 0.00295090675354