INTV NEWS SHOWBIZ MAGAZINA MUSIC MOVIES FASHION MED+ SPORTS VIDEOS

Personat me aftësi të kufizuar intelektuale duhet të dëgjohen,respekt për të drejtat e tyre [VIDEO]

Publikuar më: 11:30 03-12-2016

Në vendin tonë numërohen mbi 180 mijë persona me aftësi të kufizuara dhe midis tyre 57 mijë kanë aftësi të kufizuar intelektuale. Në ditën ndërkombëtare të të drejtave të tyre ata marrin pak më shumë vëmendje. Po gjithësesi dhe këtë ditë më së shumti ata organizohen vetë për ti kujtuar të gjithëve, si qytetarëve ashtu dhe pushtetarët që dhe ata duhet të gëzojnë të drejtat e tyre, të cilat në fakt i kanë dhe me ligj.
Ata duan integrim, të gëzojnë pronën, të martohen dhe punësohen. Madje një problem edhe më i madh për ta është diskriminimi në shumë drejtime, nga ambjentet shkollore deri tek ato komunitare.
Shumë persona me aftësi të kufizuar kanë dhe problem të shumta ekonomike, pasi të ardhurat nga ndihma e paaftësia apo siç quhet ndryshe kempi nuk iu dalin as për mjekime. E në këto kushte ata në ditë të tilla kërkojnë që institucionet të mos jenë më të shurdhëta, por tu garantojnë vende pune siç dhe ligji e përcakton.
Në ligj thuhet qartë që në 25 persona të punësuar në administratë 1 prej tyre duhet të jetë nga rradhët e personave me aftësi të kufizuar. Por kjo nuk ka ndodhur! Në Shqipëri persona me aftësi ndryshe vijojnë të kenë probleme edhe me arsimin dhe punësimin.
Edhe Avokati i Popullit ka një ndjeshëmri të madhe për këtë shtresë dhe në një draft-Raport për problematikat e punësimit të PAK ka thënë qartë se: “Përgjigja që shoqëria dhe shteti shqiptar duhet t’u japë problemeve të tyre është përfshirja dhe jo asistenca apo shërbimet specifike dhe të izoluara. Të garantosh shërbimet e nevojshme për personat me aftësi të kufizuara, do të thotë të jesh në rrugën e duhur për uljen e varfërisë dhe mospërjashtimin social.”
Një problem tjetër me të cilin ballafaqohen PAK janë dhe organet e drejtësisë, pasi në to mungojnë interpretët dhe organizata kanë hedhur dyshime të forta që shumë çështje të tyre ligjore janë të pazgjidhura si rezultat i këtij handikapi.


Ligji për PAK

Në vitin 2012 Parlamenti Shqiptar e ratifikoi Konventën e OKB-së për të Drejtat e Personave me Aftësi të Kufizuara, si dokumenti i parë ku të drejtat e personave me aftësi të kufizuara trajtohen nën këndvështrimin e të drejtave të njeriut. Me pranimin e kësaj Konvente, shtetit shqiptar i lindi detyrimi i respektimit të barabartë të të drejtave të gjithë grupimeve të personave me aftësi të kufizuara, duke përqasur legjislacionin shqiptar me linjat e Konventës. Projektligji i votuar në 2014-ën “Për përfshirjen dhe aksesueshmërinë e personave me aftësi të kufizuara” u hartua me ndihmën teknike të ofruar nga UNDP dhe ka përfituar nga ekspertiza ligjore e njërës prej anëtareve të grupit të punës të OKB-së, e cila ka punuar edhe për hartimin e Konventës. Çdo nen i ligjit është në përputhje me dispozitat e Konventës së OKB-së për të Drejtat e Personave me Aftësi të Kufizuara.

Ç'është 3 dhjetori?
Që prej viti 1992, data 3 dhjetor është shpallur Dita Ndërkombëtare e Personave me Aftësi të Kufizuara nga Asambleja e Kombeve te Bashkuara, me qëllim promovimin, kuptimin e çështjeve mbi aftësinë e kufizuar dhe të mobilizimit në përkrahjen për të drejta dhe mirëqenien e PAK.
MESAZHI I PAK NË VIDEON E MËPOSHTME…

 

Article Logic
Execution time: 0.003187894821167