INTV NEWS SHOWBIZ MAGAZINA MUSIC MOVIES FASHION MED+ SPORTS VIDEOS
Patozi: Në 2017 zgjedhje të parakoshme lokale. Tryezë për “Republikën e re”

Patozi: Në 2017 zgjedhje të parakoshme lokale. Tryezë për “Republikën e re”

Publikuar më: 12:16 26-05-2016

Deputeti i Partisë Demokratike Astrit Patozi kalon qëndrimin zyrtar të partisë së tij dhe propozon zgjedhje të parakoshme lokale në 2017. Nga foltorja e kuvendit, Astrit Patozi tha se zgjedhjet të zhvillohen në një ditë me ato të përgjithshmet, pasi kjo sipas tij do të ishte zgjidhja e duhur për të bërë një kthesë të rëndësishme për vendin.
Astrit Patozi:
“Le të shkojmë vitin e ardhshëm në zgjedhje, jo vetëm për parlamentin e ardhshëm, por edhe për pushtetin vendor. Le të kemi zgjedhje të parakohshme lokale, sepse duhet ta pranojmë që jemi në një situatë të jashtëzakonshme. Kjo do të shmangte edhe koston e dyfishtë, pasi e di që do të kërcenin përpjetë edhe qeveria edhe avokatët e saj për të na ruajtur nga gjoja shpenzimet e tepërta, meqë jemi vend i varfër. Le t'i quajmë zgjedhjet e vitit të shkuar si një shans të humbur, sepse të tilla ishin. Për shkak të problemeve të rënda që u vërejtën, të blerjes dhe deformimit të votës, por mbi të gjitha nga oferta e turpshme që iu bë shqiptarëve, me kandidatë me pesë emra, apo me të dënuar apo të arrestuar për trafik droge dhe prostitucioni. Unë e di se është e padrejtë që të përsëriten zgjedhjet në ato bashki, që i kanë fituar qytetarë të nderuar, në të dyja kampet e politikës. Por më mirë le të digjet edhe i njomi me të thatin, sesa të vijojë debati a e kap ligji apo s'i kap ligji njërin, që ka mbajtur katër emra apo tjetrin, që është arrestuar 5 herë për krime monstruoze”.
Astrit Patozi ka një zgjidhje dhe për rrugën që mund të arrihet në këtë vendim. Duke e cilësuar Kryeministrin Edi Rama si një hileqar provincial, e fton atë në një tryezë për republikën e re.
Astrit Patozi:
“Një kontratë e re sociale do të thotë ndarje me veset dhe plagët e thella të së shkuarës dhe marrjen e përgjegjësive për një të ardhme, që ushqen mirëbesimin mes palëve. I cili arrihet vetëm me rregulla të reja loje.
Ndaj po i drejtohem Edi Ramës, që të heqë dorë nga hilet e vogla provinciale duke bërë sikur e fton opozitën vetëm për të votuar reformën, sipas tij, në drejtësi. Nëse do që të mbahet mend për ndonjë gjë të mirë në këtë vend, le të prijë ose t'i bashkohet tryezës për Republikën e Re. I takon atij, si askujt tjetër, jo vetëm si udhëheqës i mazhorancës, por mbi të gjitha si autori kryesor i këtij deformimi të tmerrshëm, që e mbushi parlamentin me gjuetarë njerëzish. Kjo është realisht e vetmja rrugë”.

Article Logic
Execution time: 0.0041239261627197