INTV NEWS SHOWBIZ MAGAZINA MUSIC MOVIES FASHION MED+ SPORTS VIDEOS
Pas STUDENTËVE dhe pedagogët e 'Histori-Filologji' në PROTESTË: Të hënën do të ketë...

Pas STUDENTËVE dhe pedagogët e 'Histori-Filologji' në PROTESTË: Të hënën do të ketë...

Publikuar më: 19:33 18-01-2019

Pedagogët e Fakultetit të Historisë dhe Filologjisë gjatë gjithë kohës e kanë mbështetur protestën e studentëve dhe kanë vendosur të hyjnë në grevë.

Gjatë një mbledhje të zhvilluar ditën e sotme stafi akademik ka kërkuar shfuqizimin e Ligjit për Arsimin e Lartë.

Gjithashtu pedagogët e FHF-së kanë vendosur që ditën e hënë të hyjnë në grevë së bashku me studentët.

Deklarata e plotë:

Asambleja e Personelit Akademik të Fakultetit të Historisë dhe të Filologjisë, e mbledhur sot më datë 18 janar 2018, me kërkesën e një të tretës së personelit akademik, në përputhje me nenin 45 të Statutit të Universitetit të Tiranës, diskutoi mbi gjendjen e krijuar në universitetet publike të vendit dhe rikonfirmoi përkrahjen për kërkesat e studentëve, duke dënuar çdo formë presioni ndaj tyre. Asambleja kërkonː

1. Abrogimin e Ligjit për Arsimin e Lartë, si shkaktari kryesor i gjendjes aktuale të krijuar në institucionet e Arsimit të Lartë.

2. Shpreh kundërshtinë me aktet nënligjoreː

˗ VKM˗të e datës 26 dhjetor 2018ː Nr.777, Nr.781, Nr.783, si dhe
˗ urdhrat e Kryeministrit të datës 26 dhjetor 2018ː Nr.183, Nr.184, Nr.185 dhe Nr.186.
Këto akte dhe urdhra cenojnë rëndë autonominë e IAL-ve dhe liritë akademike të profesoratit, në këto pika:

a. Autonominë në vlerësimin e punës shkencore dhe të karrierës akademike.

b. Liritë akademike të profesoratit në përcaktimin e përmbajtjes së njohurive që jepen në auditor.

c. Shkelin plotësisht konventat europiane për autonominë universitare dhe liritë akademike.

3. Kërkojmë ndalimin e fushatës denigruese dhe të përbaltjes masive të trupës akademike universitare nga aktorë politikë dhe qeveritarë, që synon intimidimin e fjalës së lirë.

4. Kërkojmë të sanksionohet me ligj statusi i pedagogut.

5. Në përgjigje të kërkesës së Asamblesë së personelit akademik të Fakultetit të Shkencave Sociale, Universiteti i Tiranës, propozojmë që përfaqësues të asambleve të personelit akademik të Universitetit të Tiranës të mblidhen për të koordinuar veprimet e mëtejshme.

6. Për të tërhequr vëmendjen urgjente ndaj këtyre kërkesave, Asambleja vendosi të shpallë ditën e hënë, datë 21 janar 2019, një ditë grevë paralajmëruese të pedagogëve të Fakultetit të Historisë dhe të Filologjisë.

Asambleja e Fakultetit të Historisë dhe të Filologjisë

Article Logic
Execution time: 0.013993978500366