INTV NEWS SHOWBIZ MAGAZINA MUSIC MOVIES FASHION MED+ SPORTS VIDEOS
Pandeli Majko: Rrezikojmë të futemi në një spirale anti-europiane

Pandeli Majko: Rrezikojmë të futemi në një spirale anti-europiane

Publikuar më: 10:43 08-07-2016

Ish Kryeministri Pandeli Mako lëshon alarmin se vendi po rrezikon të përfshihet në një spirale anti-perëndimore. Në një shkrim me titull “Udhëtim drejt askundit si alternativë…”, Pandeli Majko bëri një analizë të letrës së diplomatit amerikan në vendin tonë Donald Lu, e cila sipas tij vë theksin se përgjegjësia e politikanëve shqiptarë shkon përtej një mandate katër vjeçar.
Pandeli Majko:
“Letra e djeshme e Ambasadorit të Shteteve të Bashkuara drejtuar deputetëve të Kuvendit të Shqipërisë ka sjellë një udhëkryq të pazakontë. Ajo është përgjigja ndaj saj. Letra e Ambasadorit Lu është e paprecedentë për mënyrën se si politika amerikane vendos raportet me një cështje në pamje të jashtme si “çështje e brendshmë” e një vendi. Shqipëria aktualisht rrezikon të përfshihet në një spirale anti-perëndimore. Ky është një rrezik real”.

Për Pandeli Majkon politika shqiptare nuk është vënë nën presion për të pranuar “kapjen e sistemit”, ndërkohë që flet dhe për “sovranitetin” në këtë reformë jetike për integrimin e Shqipërisë në BE.
Pandeli Majko.
“Edhe zhurma nën tavolinë për refuzimin e një “Euleksi” në Shqipëri nuk ka asnjë paralele për një vend anëtar të NATO-s. Reforma e drejtësisë do të preki vetëm “sovranitetin” e sistemit të korrupsionit në vend. Refuzimi i kësaj Reforme do të njollosi vendin dhe politikën e tij. Statusi ndërkombëtar i Shqipërisë dhe jo sovraniteti i saj është ai çfarë diskutohet me votimin ose jo të reformës në drejtësi. Refuzimi i Reformës së Drejtësisë do të konsiderohet një akt frike i politikës. Historikisht kur politika dhe frika janë bërë bashkë ato e kanë izoluar Shqipërinë”.
Në këto kushte zgjidhja e vetme sipas Pandeli Majkos është miratimi i reformës në drejtësi, ndërsa thotë që dhe abstenimi është votë kundër saj.
Pandeli Majko:
“21 korriku është një ditë e rëndësishme për Shqipërinë dhe shqiptarët. Politika duhet të vendoset në krah të interesave kombëtare të vendit. Shqiptarët inatin dhe zemrën i kanë njëlloj! Me votë politika duhet të zgjedhi midis të parës dhe të dytës. Abstenimi, në këtë rast, është “KUNDRA”. Udhëkryqet në histori përbuzin naivitetin dhe ata që bëjnë si të tillë. Refuzimi i UDHETIMIT DREJT ASKUNDIT është interesi ynë kombëtar. Në rrethana të ndryshme REFUZIMI I PERENDIMIT ka ndodhur edhe më parë nga Shqipëria. Ndaj sot, justifikimi nuk ekziston. Pohimi i vetëvetes është akt jo fjalë”!

Article Logic
Execution time: 0.0040709972381592