INTV NEWS SHOWBIZ MAGAZINA MUSIC MOVIES FASHION MED+ SPORTS VIDEOS
Nisma e re e Veliaj, tregje të posaçme për tregtimin e produkteve bujqësore bio në fundjavë

Nisma e re e Veliaj, tregje të posaçme për tregtimin e produkteve bujqësore bio në fundjavë

Publikuar më: 12:01 17-10-2018

Në pikat hyrëse të kryeqytetit, Bashkia e Tiranës do të ngrejë tregje të posaçme për tregtimin e produkteve bujqësore bio në fundjavë. Nisma e cila u vjen në ndihmë fermerëve të zonës, i jep një dorë ekonomisë lokale dhe sisiplinon shitjen e tyre produkteve. Në panairin e organizuar me gatime, prodhime dhe punime artizanale të punuara nga gratë dhe vajzat e njësisë Baldushk, Erion Veliaj tha se nisma gjeneron ekonominë e zonave përreth qytetit.
“Do të shfrytëzojmë të gjitha hyrjet në Tiranë, nëse Dajti dhe Shëngjergji e kanë hyrjen nga Kinostudio, bashkë me njësitë 3 dhe 4 do të ngrejmë një treg për të shtunën dhe të dielën, në një vend që e cakton bashkia, që tregtarët të shesin sa të duan, pa pagesë. Nëse nga Rruga e Elbasanit e ka aksesin Baldushku, Bërzhita, Farka, Petrela, Krraba, atëherë diku në hyrje të rrugës së Elbasanit do të ngrejmë një treg, ku në fundjavë të shiten të gjitha produktet bio. Pra, edhe shesim produktet, edhe nuk shpërndahemi në çdo hyrje pallati, ku sigurisht edhe për banorët është një lloj bezdie” tha Veliaj.
Ai u bëri thirrje qytetarëve që të kontribuojnë duke konsumuar produkte vendase, të cilat garantojnë cilësi të lartë.Komuna e Baldushkut është një nga zonat që ka përfituar më shumë gjatë këtyre tre viteve, kjo edhe falë ndarjes së re administrative, duke u bashkuar me Bashkinë e Tiranës.
“Fakti që bashkia ndërtoi rrugën, të cilën komuna me buxhetin e saj s’do ta bënte dot kurrë, fakti që janë bërë disa qendra fshatrash, fakti që disa fshatra i kemi futur te projekti i qeverisë për ‘100 fshatrat’, do të thotë se është rritur vëmendja për zonat rurale. Si bashki, vitin tjetër do të bëjmë gjithë qendrën e komunës, për ta kthyer në pikë turistike, që njerëzit të vijnë në Baldushk” shtoi Veliaj.
Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Niko Peleshi, përshëndeti nismat e ndërmarra nga Bashkia e Tiranës për krijimin e tregjeve me qëllim mbështetjen e fermerëve.

Article Logic
Execution time: 0.0038259029388428