INTV NEWS SHOWBIZ MAGAZINA MUSIC MOVIES FASHION MED+ SPORTS VIDEOS
Nisin takimet për ringritjen e PD-së: Patozi: “Nuk kemi ç’i presim më Lulzim Bashës”

Nisin takimet për ringritjen e PD-së: Patozi: “Nuk kemi ç’i presim më Lulzim Bashës”

Publikuar më: 15:54 04-03-2018

Lëvizja për Ringritjen e Partisë Demokratike nis takimet me qytetarë duke i bërë sfidë hapur kreut të opozitës Lulzim Basha. Përmes një komenti në rrjetet sociale, Astrit Patozi, ish-deputet i PD-së, bën të ditur se gjatë kësaj fundjave kanë zhvilluar takime në Korçë, Pogradec dhe Devoll ndërsa deklaron se demokratët nuk kanë çfarë të presin nga Lulzim Basha. “Fati i Partisë Demokratike dhe e ardhmja e opozitës në përgjithësi, në kushtet e një qeverisje të korruptuar dhe arrogante, ishin në qendër të takimeve me përfaqësues të spikatur në vite të demokratëve të Korçës, Pogradecit dhe Devollit gjatë kësaj fundjave. Ky tur shënon nisjen e një komunikimi të ri të Lëvizjes për Ringritjen e Partisë Demokratike, pasi platforma politike e paraqitur disa muaj më parë prej saj nuk u vlerësua te merrej në konsideratë nga kryetari Lulzim Basha dhe lidershipi i tij”-shkruan Patozi. Ai tregon se në takimet merrnin pjesë edhe Ridvan Bode dhe firmëtarë të tjerë të plaformës politike. “Ka një bindje të konsoliduar tek të gjithë që Partia Demokratike po humbet dita ditës terren për shkak te drejtimit te gabuar dhe nuk ka asnjë sinjal pozitiv që ky trend rrënues do të ndalet. Sipas tyre, nuk po bëhet as përpjekja minimale për ta bashkuar partinë, dhe ky është një fenomen, që fillon në Tiranë dhe mbaron në fshatin më të largët të Shqipërisë”-konstaton ish-deputeti demokrat. Më tej ai flet për pozitën e keqe në të cilën ndodhet sot Partia Demokratike. “Nga ana tjetër Partia Demokratike gjendet në një krizë të fortë përfaqësimi dhe idesh, e cila shprehet në të gjithë performancën negative të saj, sidomos në vitin e fundit. Në këto rrethana, e vetmja rrugë është aktivizimi i të gjitha kapaciteteve të Partisë Demokratike, në funksion të një reformimi të thellë të saj. Në të gjitha takimet u theksua nevoja që Lëvizja për Ringritjen e PD nuk ka më asnjë arsye pse të presë "zgjimin" e Lulzim Bashës dhe se demokratët në gjithë vendin duhet ta marrin vetë në dorë fatin e tyre. Sipas tyre, zoti Basha, sa nga dashakeqësia aq edhe nga paaftësia, nuk ka ndërmend të marrë ndonjë hap për ta ndryshuar gjendjen, ndaj është e domosdoshme nisja e një aksioni të ri politik që do t'i kthejë të djathtës shpresën dhe besimin”-deklaron Patozi.

Article Logic
Execution time: 0.0043659210205078