INTV NEWS SHOWBIZ MAGAZINA MUSIC MOVIES FASHION MED+ SPORTS VIDEOS
Nis seanca gjyqësore për protestuesit e “Astirit”, deputetët e opozitës tentojnë të hyjnë në Gjykatë

Nis seanca gjyqësore për protestuesit e “Astirit”, deputetët e opozitës tentojnë të hyjnë në Gjykatë

Publikuar më: 13:18 25-11-2018

Në Gjykatën e Tiranës është duke u zhvilluar seanca gjyqësore për 11 banorët e zonës së “Astirit” që u arrestuan pas protestës para Parlamentit, ku pati përplasje me policinë e shtetit dhe 15 persona nga të dy palët u lënduan.

Arrestimi i këtyre protestuesve është bërë për veprat penale “Plagosje e rëndë me dashje”, “Organizimi dhe pjesëmarrja në grumbullime dhe në manifestime të paligjshme”, “Prishje e rendit dhe qetësisë publike” si dhe “Goditja për shkak të detyrës”.

Prokuroria ka kërkuar “arrest me burg” për 6 prej tyre dhe masën “detyrim paraqitje” për 5 të tjerë.

Ndërkohë, në seancën gjyqësore ku pritet të vendoset masa e sigurisë për protestuesit e “Astirit” janë të pranishëm edhe dhjetëra familjarë të tyre, të cilët prej 3 javësh protestojnë në mbrojtje të banesave të tyre, që ARRSH ka projektuar t’i shembë pasi aty do të kalojë “Unaza e Madhe” e kryeqytetit.

“Poshtë kriminelët”, “Gjykata të mos bjerë pre”, “Turp” kanë qenë disa nga thirrjet e banorëve të Unazës së Re, të cilët sot kanë kërkuar lirimin e të afërmve të tyre.

Banorët e “Unazës së Re” edhe sot mbështeten nga deputetët e opozitës, të cilët  kanë debatuar me policinë pasi kanë tentuar të hyjnë në Gjykatë dhe fillimisht nuk janë lejuar.

Më pas deputetët Aldo Bumçi, Edi Paloka, Ervin Salianji, Klajda Gjosha, Kejdi Mehmetaj, Endrit Braimllari dhe Silva Caka kanë hyrë në seancën për masën e sigurisë.

Article Logic
Execution time: 0.0035219192504883