INTV NEWS SHOWBIZ MAGAZINA MUSIC MOVIES FASHION MED+ SPORTS VIDEOS
Ngricat në vend, njihuni me akset rrugorë që duhen zinxhirë

Ngricat në vend, njihuni me akset rrugorë që duhen zinxhirë

Publikuar më: 11:35 04-01-2019

Në një pjesë të madhe të vendit temperaturat kanë zbritur nën zero gradë celsius. Ngricat në akset rrugore kanë bërë të detyrueshme përdorimin e zinxhirëve nga drejtuesit e automjeteve. 

Në Qarkun e Shkodrës, temperaturat kanë zbritur disa gradë nën zero mbrëmjen e kaluar, por reshje dëbore nuk ka pasur. Problematike mbetet prania e akullit në rrugë, teksa po punohet për kriposjen e të gjitha akseve, ndërkohë që qarkullimi bëhet normalisht në të gjitha rrugët e qarkut.
Në Qarkun e Kukësit ka pasur reshje të dobëta dëbore gjatë natës, në zonat e thella, si dhe ulje të temperaturave. Problematike mbetet prania e akullit në aksin Kukës-Ura e Zapotit, por qarkullimi vijon normalisht pa zinxhirë.
Në Qarkun e Dibrës ka pasur gjithashtu reshje të pakta bore, të shoqëruara me ulje të temperaturave si dhe prani akulli në rrugë. Problematike mbetet vetëm pjesa fundore e segmentit Ura e Çerenecit-Stëblevë, ku rekomandohet lëvizja me zinxhirë.
Rrugët nacionale Bulqizë-Peshkopi dhe Bulqizë-Mat janë të kalueshme pa zinxhirë, ndërsa Qafë e Buallit-Krastë dhe Qafë e Buallit-Zona D kalohen vetëm me zinxhirë.
Zinxhirë duhen përdorur gjithashtu për qarkullimin në rrugët që lidhin njësitë administrative Trebisht, Ostren, Martanesh, Shupenzë, Zerqan dhe Fushë Bulqizë. Vështirësitë e qarkullimit në rrugët rurale kanë ardhur si pasojë e ngricave, pasi në to nuk është hedhur as kripë dhe as skorje.
Ndërsa në Qarkun e Elbasanit, të gjitha rrugët janë të kalueshme. Kalohet me zinxhirë vetëm në aksin Librazhd-Stëblevë, për shkak të ngricave.
Në Korçë, reshjet e borës kanë vijuar në të gjithë qarkun. Me zinxhirë kalohen akset Korçë-Dardhë, Korçë-Voskopojë, Korçë-Pustec dhe Qafa e Qarrit. Probleme ka pasur edhe në zonat e thella malore.

Article Logic
Execution time: 0.0035009384155273