INTV NEWS SHOWBIZ MAGAZINA MUSIC MOVIES FASHION MED+ SPORTS VIDEOS
Në Laprakë 2 herë më shumë investime se në 4 vitet e administratës

Në Laprakë 2 herë më shumë investime se në 4 vitet e administratës

Publikuar më: 12:28 05-06-2017

Në dy vitet e ardhshme, investimet e Bashkisë së Tiranës do të shtrihen në nivel kapilar në çdo lagje. Në vijim të turit “Tirana - 2 vjet zgjuar”, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, zhvilloi sot një takim me banorët e Njësisë Administrative Nr. 11 në Laprakë, ku theksoi se investimet do të vijojnë me të njëjtin ritëm në të gjithë qytetin. Ai tha se përfundimi i disa prej projekteve madhore si sheshi “Skënderbej”, Bulevardi i Ri apo Pazari i Ri i kanë hapur rrugën investimeve në çdo lagje të Tiranës, në mënyrë kapilare.

“Me të mbyllur projektet e mëdha si sheshi Skëndërbej, Bulevardi i Ri, Pazari i Ri dhe Parku Olimpik, fokusi ynë do të jetë puna nëpër lagjet e Tiranës. Çdo vit kemi bërë plan të riparojmë 50 blloqe, që do të thotë se brenda mandatit tonë do të ndërhyjmë me investime në mbi 200 lagje”, theksoi kryebashkiaku. Ai deklaroi se është vetëm çështje kohe që çdo investim i Bashkisë së Tiranës të mbërrijë në çdo lagje të Tiranës.

“Për sa kohë që jemi duke bërë çdo ditë nga një punë konkrete, ju them se është vetëm çështje kohe sa të vijmë në lagjen tuaj. Nëse na shikoni një ditë pushim, që nuk kemi bërë një punë konkrete, atëherë mund ta humbni shpresën e do thoni filluan gjumin edhe këta. Por, sa kohë çdo ditë po bëjmë nga një punë konkrete, besoj se secili e merr mesazhin që është vetëm çështje kohe sa rrëgullojmë rrugicën ku kalon ti, pusetën para shtëpisë apo ujësjellësin që të furnizon me ujë të pijshëm”, tha ai.

Veliaj deklaroi se ajo që është bërë gjatë këtyre dy viteve të para të drejtimit të Bashkisë së Tiranës, është tregues i vullnetit për të transformuar kryeqytetin. Si shembull konkret, ai solli ndryshimin që ka pësuar sheshi “Skënderbej”. “Një ndër gjërat madhore për të cilat do të doja t’ju ftoja është sheshi “Skënderbej”, i cili hapet për publikun ditën e shtunë, në orën 19.30, me një koncert madhështor. Çdo banor i Laprakës është i ftuar në këtë ceremoni sepse është sheshi i të gjithë shqiptarëve, jo vetëm i qendrës së Tiranës. Do të kemi shumë shqiptarë nga Kosova, Maqedonia, Mali i Zi, Greqia dhe besoj se do të kemi mundësi që më në fund t’i kthejmë dinjitetin qendrës së qytetit”, u shpreh kryebashkiaku.

Duke u ndalur te investimet në Njësinë 11, kreu i Bashkisë së Tiranës shtoi se në Laprakë janë duke u zhvilluar disa projekte të rëndësishme, një prej të cilëve është edhe rikonstruksioni dhe vendosja në punë e kinemasë. “Jemi duke ndjekur dy investime kryesore në anën tjetër të rrugës. Pata një bisedë me Maks Velon i cili ishte jashtëzakonisht i emocionuar se tha që as nuk e mendoja që kinemaja që unë kam projektuar në Laprakë do hapej ndonjëherë. Na ndajnë vetëm pak ditë nga përurimi dhe më në fund ju do të keni një kinema moderne në qendër të Laprakës, e cila do të shërbejë edhe qendër komunitare”, tha Veliaj.

Kryebashkiaku i Tiranës tha se edhe në këtë njësi, ashtu si edhe në njësitë e tjera të qytetit, ka patur një rritje të theksuar të investimeve në krahasim me atë që kishte bërë administrata e shkuar e bashkisë në 4 vjet të marra bashkë. “Në dy vite kemi investuar dy herë e gjysmë më shumë se administrata e shkuar në katër vjet. Kur ke investuar paratë aty ku janë nevojat për qytetarët, ke fytyrë të vish e të përballesh me njerëzit. Një nga arsyet pse nuk kemi nevojë t’u fshihemi njerëzve është se e kemi mbajtur fjalën dhe nëse diçka nuk është bërë perfekt e kemi korrigjuar, nëse diçka ka lindur si nevojë e kemi mbajtur shënim ta bëjmë vitin tjetër”, theksoi Veliaj.

Ai nënvizoi se në Njësinë 11 do të vazhdojnë investimet në Bregun e Lumit në mënyrë që ajo të kthehet në një zonë e jetueshme, si çdo zonë tjetër e Tiranës. “Do të vazhdojmë me gjithë rehabilitimin te Bregu i Lumit dhe të sigurohemi që mbaron i gjithë projekti aty, ndërkohë që është riparuar e gjithë kaskada e lumit për efekt të përmbytjeve. Ka qenë viti i parë që s’ka pasur përmbytje. Ndërkohë, gjithë komunitetit rom po u bëhen banesat e tjera në Shkozë, që njerëzit të kenë mundësi të jetojnë të qetë”, tha Veliaj.

Ai u shpreh se në dy vitet në vijim në këtë njësi do të ketë një shtrirje më të mirë të investimeve, duke bërë të mundur që prej tyre të përfitojnë të gjithë qytetarët, pavarësisht nëse jetojnë në qendër të Laprakës apo në periferi. “Do të duhet që të balancojmë investimet, pra kemi investuar shumë në pjesën qendrore të Laprakës, por njësia 11 nuk përfshin vetëm Laprakën; tani e tutje shumica e investimeve do të fillojnë të zhvendosen në zonën e Institutit Bujqësor, në Kodër - Kamëz etj, sepse besoj fort që nuk mund të kemi një qytet që rritet me dy shpejtësi”, u shpreh kryetari i Bashkisë së Tiranës.

Veliaj evidentoi se veç investimeve në infrastrukturë një rëndësi e madhe i është dhënë edhe aspektit social dhe arsimor. Ai theksoi se tashmë Tirana është një qytet që mbështet dhe promovon më të mirët. Sipas tij, fokusi i Bashkisë ka qenë tek puna dhe përfundimi i investimeve të nisura. Në këtë drejtim, Veliaj deklaroi se Tirana ka qenë model se si puna dhe vendimet nuk janë ndikuar nga politika. “Ne vërtet mund të jemi në parti të ndryshme, po kur vjen puna te partia, ne njohim vetëm një parti, partinë që punon për Tiranën, një skuadër që përkushtohet për Tiranën dhe një bashkëpunim që kemi me qytetarët që puna të bëhet. Pastaj secili bindjet e veta, por puna në Tiranë duhet të vijojë dhe të shkojë përpara. Siç kemi punuar gjatë gjithë këtyre dy viteve, do punojmë edhe gjatë fushatës. Ka ose s’ka fushatë, për ne nuk ndryshon ritmi i punës. Sa të mbarojë fushata, edhe në datë 26, Tirana do jetë në punë”, përfundoi ai.

Article Logic
Execution time: 0.0030398368835449