INTV NEWS SHOWBIZ MAGAZINA MUSIC MOVIES FASHION MED+ SPORTS VIDEOS
Ndryshimet midis qen-dashësve dhe mace-dashësve [FOTO]

Ndryshimet midis qen-dashësve dhe mace-dashësve [FOTO]

Publikuar më: 19:23 11-04-2018

Nga Dafne Bajaktari

Bota ndahet në dy pole, gjithmonë. Këto pole mund të jenë; njerëzit që e duan ananasin në pizza dhe ata që nuk e konceptojnë dot këtë bashkim, njerëzit që e hedhin ketchup-in siper patateve dhe ata që e hedhin anash pjatës, njerëzit që pëlqejnë Feron dhe ata që pëlqejnë Butën, etj.
Por një nga ndarjet më të zakonshme që bëhet, është për njerëzit që duan macet dhe njerëzit që duan qentë. Ndodh që në këtë rast kemi dhe një Zvicër; një zonë neutrale ku qëndrojnë njerëzit që i duan të gjitha kafshët, si unë.
Si një person që qëndron në të mesmen e artë, kam vënë re shumë diferenca midis këtyre grupimeve. Diferenca të cilat jo rrallë mund t’i vërejmë të gjithë. Sigurisht çdo gjë e përmendur në pikat e poshtëshënuara, është e bazuar në analiza, fakte dhe studime shumë serioze (aspak), nga unë.

1. Njerëzit që kanë qen janë me socialë, ndërsa ata që kanë mace, jo edhe aq.

A njihni një person që ka qen dhe nuk jua përmend, poston, MANIFESTON KUDO? Nuk më ka ndodhur ndonjëherë që të njoh dikë dhe të marr vesh shumë vonë se kanë një qen. Ndërkohë që kam miq të cilët i njoh prej vitesh dhe rastësisht duke pirë një gotë ja këpusin: “Më grisi macja perdet sot”. Ti ke një mace? Që kur? Edhe të vjen përgjigjia: “Po ja, kam nja 7 vjet”. Dhe ti mendon që i kishe shokë … Studime në fushën e psikologjisë shpesh pohojnë se njerëzit që kanë qen janë më socialë se sa njerëzit që kanë mace. Vetëm kur e mendon; nëse ke qen DUHET të dalësh, t’a shëtisësh, të takosh e të bashkëbisedosh me pronarë të tjerë qensh. Kur ke mace, mund thjesht të mbyllesh në shtëpi dhe vazhdon vazhdimin me pak “Netflix & Chill” (në kuptimin e parë të fjalës) me macen tënde.

4e3be320-1fdb-4f39-b7c9-f9a0a12308d7.jpg

2. Pronarët e qenve nuk hezitojnë të thurin lavde për fëmijën e tyre e të flasin në mënyrë të detajuar për to, ndërkohë që pronarët e maceve kanë një marrëdhënie të komplikuar dashuri-urrejtje me macet e tyre dhe as nuk ja kanë idenë se çfarë rrace janë.

Pyet një person që ka qen: Çfarë qeni ke?
I zoti i qenit: Epo qeni im është gjysëm clavier king Charles spaniel dhe gjysëm poodle në miniaturë, apo shkurt "cavapoo". Është 2 vjeç e 4 muaj për 3 ditë, dhe ka bërë dy shkolla. E dua, nuk e mendoj dot jetën pa të. Nëse do ëm thonin të zgjidhja midis qenit edhe vëllait, do të zgjidhja qenin.
Pyet një person që ka mace: Çfarë maceje ke?
I zoti i maces: Një mace portokalli. Mace e keqe, shkatërron çdo gjë. Ndonjëherë kur më sheh, më duket sikur po komploton si të më vrasi në gjumë. Por, më lejon ta prek ndonjëherë edhe bën “grrrr”. Është ok.

03320fe8-5494-4221-8dba-622a64e5ef20.jpg

3. Pronarët e maceve mund të mos t’i kenë qejf qentë. Por pronarët e qenëve, i kanë inat macet me pasion.
Pronarët e qenëve janë mësuar me karakterin lojcak, entuziast e shumë të dashur të fëmijës përkatës (fëmija qëndron për qenin). Ndërkohë pronarët e maceve janë mësuar me atë heshtjen, distancën dhe rehatllëkun e të qenurit secili për hesap të vet. Nëse pyet pronarët e maceve për qentë, do të thonë: “Jam më shumë person macesh”, dhe kaq. Ndërkohë pronarët e qenve: “MACET? MACET JANË DJALLI. JANË EGOISTE DHE TË PABESA. SI KUPTOJ NJERËZIT QË DUAN MACET MË SHUMË SE QENTË. AS ATYRE NUK U ZË BESË”. Domethënë; njerëzit e maceve janë mësuar duke patur qen vërdallë, si kafshë sociale që janë nuk u shpëton dot. Sidomos në Tiranë që mund t’i gjesh gjithandej. Por njerëzit e qenëve, ju duhen analiza, fakte shkencore, 5 vite hulumtime në terren dhe një tezë e mbrojtur doktorature për t’i mbushur mendjen se në fakt, macet nuk janë rimishërimi i Satanait.

c0b25442-22de-4f0e-acde-82d3da1ecf4f.jpg


Ky debat do të vazhdojë përgjithmonë. Njerëzit e qenve do përmendin Hachikon, Lessie-n, Beethoven-in, Rex-in, etj, si heronjtë e historive, dhe macet si krijesat shpirtzeza interesaxhie të cilat duan vetëm të bëjnë rrëmujë edhe të pushtojnë botën.
Por në fund të ditës, a nuk janë të dyja palët, edhe macet edhe qentë, KAQ TË LEZETSHËM? Kështu si një person që jeton në Zvicrën e këtij debati mund t’ju vërtetoj që jam tepër e lumtur me zgjedhjet e mia në jetë dhe t’ju them boll me racizmin ndër-krijesor, sepse ndërkohë që ju debatoni dhe bëni ndarje, mund të ishit duke ledhatuar qenin ose macen e parë që ju del përpara.

Article Logic
Execution time: 0.0039470195770264