INTV NEWS SHOWBIZ MAGAZINA MUSIC MOVIES FASHION MED+ SPORTS VIDEOS
Ndarja e Kosovës, Thaçi akuza Berishës: S’duam këshilla nga ata që bënë tregti me Millosheviçin

Ndarja e Kosovës, Thaçi akuza Berishës: S’duam këshilla nga ata që bënë tregti me Millosheviçin

Publikuar më: 17:42 04-08-2018

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka reaguar ndaj shkrimit të ish-kryeministrit Sali Berisha, duke lëshuar akuza të forta ndaj liderit historik demokrat. Reagimi i Thaçit vjen pasi berisha deklaroi se nuk mund të bëhet tregti me Luginën e Preshevës. Përmes një postimi në rrjetin social “Facebook”, Thaçi ka theksuar se nuk ka shkëmbim territoresh, por bashkim të Preshevës, Medvegjës dhe Bujanovcit me Kosovën. Ai shkruan më tej se nuk i nevojiten këshilla nga ata që kanë bërë tregti me Millosheviçin, apo që kanë strehuar Bin Ladenin dhe Arkanin, vrasësin e shqiptarëve të Kosovës.

Postimi i Thaçit
Jo ndarje të Kosovës, jo shkëmbim të territoreve, po bashkim të Preshevës, Medvegjës dhe Bujanovcit me Kosovën, në kuadër të korrigjimit të kufirit midis Kosovës dhe Serbisë, në procesin e dialogut për normalizimin e marrëdhënieve ndërshtetërore në mënyrë paqësore. Ky proces, nëse tregohemi të mençur dhe të bashkuar, do të përmbyllet me njohje reciproke Kosovë – Serbi, dhe Kosova do të anëtarësohet në të gjitha organizatat ndërkombëtare: në BE, NATO dhe OKB. Nuk duhet t’i përsërisim gabimet siç na ndodhën me vonesën për themelimin e Ushtrisë së Kosovës apo dhe me votimin e vonuar të demarkacionit me Malin e Zi. Për procesin e dialogut dhe marrëveshjen paqësore, Kosova e ka mbështetjen e plotë të Bashkimit Evropian dhe të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Në këtë rrugëtim të përbashkët, Kosova nuk do ta ketë asnjë mëdyshje, sepse liria dhe pavarësia e Kosovës është produkt i sakrificës sonë dhe i mbështetjes euroatlantike.Institucioneve të Republikës së Kosovës sot më së paku iu duhen këshillat e të dëbuarve me votë masive nga skena politike. Veçanërisht të atyre që në mes viteve 1992 – 1997 tregtonin dhe bënin që me punët e tyre të pista të mbijetonte makineria ushtarake dhe policore e kasapit të Ballkanit, Sllobodan Millosheviç. Ata duke mbushur xhepat e tyre, u kujdesën me devotshmëri që rezervuaret e tankeve dhe autoblindave të jenë të mbushur plot, përkundër faktit se bashkësia ndërkombëtare kishte vënë sanksione kundër Millosheviçit. Nuk i duhen këshillat e atyre që strehuan Bin Ladenin, vrasësin e civilizimit botëror si dhe Arkanin, vrasësin e shqiptarëve të Kosovës.

Article Logic
Execution time: 0.003615140914917