INTV NEWS SHOWBIZ MAGAZINA MUSIC MOVIES FASHION MED+ SPORTS VIDEOS
Mos ma kryqëzoni De Biasi-n!

Mos ma kryqëzoni De Biasi-n!

Publikuar më: 14:09 25-03-2017

Nga Edison Çejku

Është bërë zakon tashmë që pas çdo humbjeje të Kombëtares Shqiptare të Futbollit, tifozët dhe analistët e futbollit “kryqëzojnë” De Biasin. Mëkati ynë më i madh? Harrojmë se kush ishim, ku ishim dhe ku kemi arritur tashmë. Nuk është aspak e vështirë që të gjykosh një trajner për zgjedhjet e tij në lojë, dhe kjo ndodh rëndom. Mirëpo çdo trajner në botë zgjedhjet i bën duke u bazuar nga forma e lojtarëve dhe paraqitja e tyre në stërvitje. Por ne, jemi aq “specialistë” saqë duam të shikojmë në fushë atë që duam ne dhe nëse ai nuk aktivizohet, trajneri nuk është i duhuri. De Biasit i është vënë laku në fyt dhe kjo jo për fajin e tij.

Shorti për në Rusi nuk qe aspak i lehtë, për të mos thënë më i vështiri i mundshëm, duke shtuar këtu edhe gjykimin skandaloz që u bë ndaj nesh në ndeshjen me Izraelin. E sa për ndeshjen me Italinë, kaq mund të bënin, mos harroni kë kishim përballë! E vetmja gjë që mund të bëjmë, është të tregojmë respekt për këdo që djersiti në fushën e lojës dhe dha gjithçka në fushë. Një bravo për të gjithë djemtë që bënë një ndeshje të mirë, pavarësisht rezultatit. Çdo ditë e më shumë po lexojmë nëpër portale të ndryshme e rrjetet sociale komente kundër De Biasit, por edhe lajme që flasin për një largim të mundshëm të tij.

Të gjitha dashuritë e kanë një fund, dhe De Biasi-Shqipëri nuk mund të bënte përjashtim. Por e rëndësishme është të mos tregojmë anën tonë më të keqe, atë kriticizmin e mbështetur në hipoteza. Gianni De Biasi duhet të kujtohet si trajneri që na bëri një Kombëtare, jo të hidhet baltë mbi emrin e tij. Për të kuptuar arritjet e teknikut italian, mjafton të përmendim si ishte Shqipëria më parë. Kishte ndryshuar 5 trajnerë të huaj dhe pa sukses. Në fund të kompeticioneve dilema ishte e njëjtë: do të lëkundeshim mes vendit të fundit dhe atij të parafundit. Dhe vështirësia ishte edhe më e madhe, pasi skuadra që po trashëgonte De Biasi ishte një skuadër e plakur. Emra të mëdhenj ishin larguar ose ishin në prag të pensionit futbollistik. Në dhjetor të vitit 2011, Gianni de Biasi, hodhi firmën si trajner i ekipit shqiptar të futbollit dhe pjesa tjetër ishte histori.

157 udhëtime, telefonata në kushedi sa e sa zyra, duke monitoruar 112 lojtarë dhe duke grumbulluar 68 të tillë. Por dalëngadalë, Shqipëria mori formën e duhur, nuk ishte më ai ekipi që trembej të mbante topin, por tashmë e qarkullonte rrjedhshëm dhe krijonte raste të pastra për gol. Konkurenca në ekip u bë e madhe saqë u krijuan edhe shumë pakënaqësi nga lojtarë që zgjodhën të largohen nga përfaqësuesja shqiptare. Kulmi i teknikut italian, arritja më e madhe e tij është kualifikimi në një kompeticion të një rëndësie të madhe si Kampionati Evropian. Po ç’mund të thuash për një njeri që e çoi një ekip Kombëtar si ai i Shqipërisë në Finalet Evropiane i klasifikuar i dyti në një grup me Portugalinë dhe Danimarkën duke patur kënaqësinë të fitonte në Aveiro kundër luzitaneve me rezultatin 0-1?

Goli i mrekullueshëm i Balajt do niste një erë të re. De Biasi kishte arritur të krijonte tashmë një ekip të konsoliduar. Një skuadër me lojtarë të gjithë të aftë për formacion. Fitorja në Portugali, rezistenca në Beograd miqësoret në Francë dhe Itali filluan të flasin për një skuadër tjetër. Një ekip me forcë grupi, mentalitet fitimtari dhe të bindur se në një ditë të mirë, mund ti rezistojnë çdokujt. Dhe ia dolën, na përfaqësuan denjësisht në France 2016, pavarësisht se nuk kaluam grupin.

Një arritje tjetër e De Biasit? Ai është treguar një “hajdut” zemrash. Tekniku italian po tregonte se nuk ishte vetëm një profesionist i mirë, por po aq sa i tillë edhe një strateg komunikimi. Ai po hynte në zemrat e shqiptarëve. Tregonte përpara tyre pasaportën e re vishnje, vetëquhej Gani Abazi, identifikohej si njëri prej ultrasve të Shqipërisë.

“Ne do të hedhim bazat për tu bërë të mëdhenj. Një mënyrë e të qenit që askush nga ju nuk e ka njohur më parë. Duke filluar nga sot me mua do të keni vetëm një mundësi, të dilni në fushë dhe të bëheni të mëdhenj”, me këto fjalë De Biasi ndërtoi mentalitetin e një ekipi fitues, ua nguliti në mendje se duhet të sillen të barabartë në fushë me ekipet kundërshtare, kushdo qofshin ato.

Pra, t’i lëmë filozofirat dhe kritikat tona prej “analistësh futbolli” dhe t’i themi një FALEMINDERIT!, me gërma kapitale Gani Abazit!

Article Logic
Execution time: 0.0044758319854736