Qentë agresivë nuk do të lejohen më që të lëvizin në ambiente publike pa maska mbrojtëse apo pa qafore. Kjo do të bëhet e mundur falë një baze të re ligjore që po përgatit Drejtoria Veterinare në Ministrinë e Bujqësisë. Burime nga kjo drejtori bëjnë me dije se drafti parashikon marrjen e disa masave, siç është, matrikullimi me çip për 10 racat agresive të rrezikshme të qenve, të cilët duhet edhe të pajisen me pasaporta të veçanta. Drejtori i Drejtorisë Veterinare Edi Ferro thotë se drafti i ri parashikon që pronarët duhet t’i regjistrojnë kafshët aty ku regjistrohen armët. Po kështu drafti parashikon sanksione të rrepta dhe penalitete për pronarët e qenve që nuk zbatojnë ligjin. Në kryeqytet janë shënuar me dhjetëra raste të sulmimit të qytetarëve nga qentë e racave të rrezikshme siç janë “Pit bull”. Por rasti më i rëndë, u shënua vetëm pak ditë më parë në vendin fqinj, Itali, ku një vajzë shqiptare, 1 vjeç humbi jetën pasi u sulmua nga dy qenë të racës Pit Bull.