INTV NEWS SHOWBIZ MAGAZINA MUSIC MOVIES FASHION MED+ SPORTS VIDEOS
Kur do hapen shkollat? Kryeministri Rama dhe ministrja Shahini zbulojnë si do zhvillohet mësimi

Kur do hapen shkollat? Kryeministri Rama dhe ministrja Shahini zbulojnë si do zhvillohet mësimi

Publikuar më: 18:08 18-08-2020

Ministrja e Arsimit, Besa Shahini në një komunikim online së bashku me ministren e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu bëri me dije se shkollat do të hapen duke respektuar protokollet e caktuara anti-COVID.

Teksa prezantoi rezultatet e sondazhit të shpërndarë nga Ministria e Arsimit për prindërit dhe komunitetin arsimor, ministrja Shahini tha se 87 për qind e tyre mendojnë se nxënësit duhet të kthehen në shkollë dhe vetëm 13 për qind ishin për vijimin e mësimit online, mendim me të cilin siç tha pajtohet edhe vetë ministria.

Ministrja sqaroi se skenarët janë të ndryshëm, në varësi të karakteristikave të shkollave ndërsa shtoi se mësimi do të bëhet me turne, në rastin e klasave me numër të madh nxënësish në mënyrë që të ruhet distancimi social.

“Ne kemi bërë një pilotim të shkollave. Ne mund te ruajmë shëndetin e nxënësve duke i hapur shkollat me kujdes. Gjermania dhe Zvicra i hapën shkollat pa bërë shumë ndryshime, pasi ato kanë klasa me numër të vogël nxënësish. Ne duam të hapim shkollat sipas specifikave, por duke i kombinuar me mësime që zhvillohen në kushte shtëpie”, tha ministrja.

Ajo kërkoi nga bashkitë që të nisin me përgatitjet për nisjen e vitit shkollor, duke filluar nga pastrimi i ambienteve të shkollave e deri tek pajisja me mjetet e nevojshme higjieno-sanitare si higjienizuesit dhe maskat.

Kryeministri Edi Rama e ka quajtur të vështirë vendimin e qeverisë për hapjen e shkollave në muajin shtator.

Nëpërmjet një postimi në Facebook, ku ka publikuar edhe komunikimin e ministreve Besa Shahini dhe Ogerta Manastirliu, Rama thekson se kjo është një çështje delikate. Ai shprehet se shumë vende ende nuk kanë marrë një vendim të tillë.

Njoftimi:

SHKOLLAT DO TË HAPEN. Ministrja e Arsimit Besa Shahini dhe Ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu, në një komunikim për situatën, arsyetimin tonë dhe masat paraprake që po merren për hapjen shkollave, në kushtet kur të gjitha vendet e botës po diskutojnë këtë çështje delikate dhe kanë zgjedhur rrugë të ndryshme për hapjen e shkollave apo jo pak vende nuk kanë vendosur ende, nëse do t’i hapin.

Çdo hap drejt hapjes së shkollave dhe mbrojtjen e shëndetit nga ky vendim i vështirë, po koordinohet me përgjegjësi maksimale nga institucionet, për garantimin e masave të distancimit social dhe protokolleve të sigurisë, si edhe vlerësimin dinamik të situatës epidemiologjike në vend.

Article Logic
Execution time: 0.00360107421875