Kukësi duket se nuk po kalon ditë të mira që pas eliminimit nga kompeticionet europiane.
Këtë herë punët janë ngatërruar sërish keq mes klubit verilindor dhe sulmuesit Sebino Plaku.
Afrimi me bujë në qershor i sulmuesit duket se është venitur me kalimin e kohës. Trysnia mbi Plakun ka qenë e madhe, nisur edhe nga fakti që drejtuesit e klubit presin shumë prej tij. Me ardhjen e trajnerit Armando Cungu, Plaku ka humbur edhe vendin e titullarit.
Gjërat nisën të kriseshin që pas ndeshjes së humbur në Azerbajxhan ndaj Karabakut, me shifrat 3-0. Mirëpo, çështja tashmë është ndërlikuar edhe më tej për shkak të një gjobe të vendosur nga klubi për lojtarin. Përflitet se shkak është bërë një vonesë e Plakut në udhëtimin që skuadra bëri në kthim pas ndeshjes Karabak-Kukësi.