INTV NEWS SHOWBIZ MAGAZINA MUSIC MOVIES FASHION MED+ SPORTS VIDEOS
Kryeministri Edi Rama nderohet në Kosovë me “Medaljen e Pavarësisë”

Kryeministri Edi Rama nderohet në Kosovë me “Medaljen e Pavarësisë”

Publikuar më: 20:03 16-02-2018

Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama u nderua sot me “Medaljen e Pavarësisë” nga Presidenti Hashim Thaçi, me rastin e 10 vjetorit të Pavarësisë, për kontributin e dhënë në lirinë dhe pavarësinë e Kosovës. Gjatë ceremonisë së organizuar në presidencën kosovare në Prishtinë, presidenti Thaçi i shprehu falenderimet kryeministrit Rama, qeverisë së tij, shtetit shqiptar dhe gjithë qytetarëve shqiptarë për kontributin në lirinë dhe pavarësinë e Kosovës. Kreu i shtetit të Kosovës tha se “zëri i kryeministrit Rama ka qenë i fuqishëm në mbështetjen e lirisë së Kosovës, të procesit të shtetndërtimit, konsolidimit dhe integrimit të saj më shpejt në NATO dhe Bashkimin Europian”. “Projekti i Kosovës së lirë dhe të pavarur që të jetë pjesë e NATO-s dhe BE-së është një projekt i përbashkët”, tha Thaçi. Kryeministri Rama e ka konsideruar medaljen e dorëzuar si një nga momentet më emocionuese të tij. “Është pa diskutim një nga momentet më emocionuese për mua. Është nder i jashtëzakonshëm. U shpreh gjithë mirënjohjen time ju personalisht dhe dua të falenderoj Kosovën për këtë emocion kaq të paharrueshëm”, tha kryeministri Rama. Kryeministri përgëzoi presidentin e Kosovës për marrëveshjen e arritur me Malin e Zi për ratifikimin e demarkacionit. Shefi i Ekzekutivit, Rama tha se marrëveshja e arritur dëshmon edhe seriozitet dhe përkushtim nga shteti i Kosovës në arenën ndërkombëtare si një shtet që di të bëjë marrëveshje dhe di të respektojë marrëveshje. Kryeministri Edi Rama ndodhet në Kosovë në kuadër të festimeve për 10 vjetorin e Pavarësisë së Kosovës. Rama do të marrë pjesë në aktivitetet që do të zhvillohen nesër, më 17 shkurt, në Prishtinë.

Article Logic
Execution time: 0.0035951137542725