INTV NEWS SHOWBIZ MAGAZINA MUSIC MOVIES FASHION MED+ SPORTS VIDEOS
Kisha thirrje politikës: Misioni juaj sot është miratimi i reformës

Kisha thirrje politikës: Misioni juaj sot është miratimi i reformës

Publikuar më: 10:46 20-07-2016

Komunitetet e Krishtera të Shqipërisë janë bashkuar në një zë, kur i kërkojnë klasës politike shqiptare që të miratojnë reformën në drejtësi. Thirrja e tyre publike erdhi një ditë përpara se sa në Kuvend të diskutohen ndryshimet Kushtetuese në funksion të reformës në drejtësi. Ndërkohë në një njoftim të shpërndarë për mediat, Komunitetet e Krishtera thonë se gjetja e një gjuhe të përbashkët, jashtë interesave vetiake dhe partiake, është misioni i parlamentarëve shqiptarë.
Komunitetet e Krishtera:
“Drejtësia dhe zbatimi i përpiktë i saj nuk është një zgjedhje në jetën e një populli që synon të jetë një vend demokratik, por element themelor, për të cilin duhet të kontribuojmë të gjithë që të garantojmë ndarjen nga korrupsioni, i cili si gangrenë rrezikon shëndetin dhe jetën e njerëzve dhe të shoqërisë.
Gjetja e konsensusit për miratimin e reformës në drejtësi jemi të bindur se do të shtojë besimin e popullit tek faktori politik dhe do të ndikojë në ndërtimin e një të ardhmeje më të mirë, ku shteti i së drejtës do të jetë në shërbim të qytetarëve dhe të së mirës së përbashkët.
Orët në vazhdim janë shumë të rëndësishme dhe jetike për këtë reformë. Ne besojmë se ka ende hapësira për t’u ulur dhe për të lënë mënjanë retorikën konfliktuale. Populli pret shumë nga ju e nga ne të gjithë, që në mënyra të ndryshme duhet të kontribuojmë në përmirësimin e jetës së tij”.

Article Logic
Execution time: 0.0043940544128418